“Tjetër skandal me naftën, kompanitë mashtruan për investimet”

 

Albpetrol thotë se, për vitin 2013, ka refuzuar të njohë gati gjysmën e shpenzimeve, që koncesionarët kanë raportuar në bilancet e tyre. 

"Nga rezultatet e vitit 2013, që është i pari i kontrolluar nga Albpetroli, janë 280 milionë dollarë kosto, të cilat nuk i janë njohur kompanive hidro-karbure në tërësi", thotë Endri Puka, drejtor i Përgjithshëm.

Puka pretendon se nga 2005 deri në 2013 kompanive nuk u është refuzuar asnjë shpenzim, edhe pse sipas tij në shumë raste ato kanë qenë të pashoqëruara me asnjë dokument apo faturë përkatëse.

"Një nga shpenzimet kryesore, që nuk është njohur është holluesi i famshëm, besoj se është bërë temë bisede në shumë televizione. Si pasojë e arrogancës së kompanisë, shumë shpenzime që nuk janë njohur, kanë ardhur për faktin se kompanitë nuk kanë pranuar të na japin dokumentet justifikuese. Ne, nuk mund të njihnim këto lloj shpenzimesh", thotë Puka.

Sipas tij, se nëse kompanitë do dështojnë t'i justifikojnë këto shpenzime muajin tjetër, Albpetrol do të kërkojë mbledhjen me forcë të taksave. 

"Nëse kompania nuk e bën, do e bëjë vetë Albpetrol dhe do ia dërgojë për ekzekutim më pas organeve tatimore", theksoi drejtori i Përgjithshëm.

Veç shifrës prej 280 milionë dollarë, që pretendohet nga Albpetrol, janë dhe 303 milionë dollarë shpenzime të tjera që janë refuzuar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore.

Pretendimet e dy institucioneve publike shkojnë në 580 milionë dollarë. Nëse ato vërtetohen, kompanitë që shfrytëzojnë naftën shqiptare, të cilat deri më tani deklarohen me humbje duhet të derdhin qindra milionë dollarë tatim mbi fitimin për buxhetin. Një ditë më parë Kryeministri njoftoi se Qeveria do të kërkojë audit ndërkombëtar, qëllimi kryesor i të cilit do të jetë pikërisht ky kontrolli i llogarive të koncesionarëve. TCH
 

SHKARKO APP