Tjetërsuan pronat në Durrës, masë sigurie për 12 persona, sekuestrohen 53 mijë m2 tokë
Prokuroria e Durrësit caktoi masa sigurimi “arrest me burg”, “arrest në shtëpi” dhe “detyrim për t’u paraqitur” për 12 persona nën hetim për veprën penale të “Mashtrimit” “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Sipas prokurorisë së Durrësit, hetimet nisën kryesisht, pasi në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) Durrës, janë konstatuar problematika nga inventarizimi i regjistrave hipotekore duke krijuar dyshime për falsifikimin e tyre.
Prokuroria njoftoi se nga ana e organit procedues u arrit të provohet mekanizmi i falsifikimit dhe përvetësimit të pasurive me qëllim përfitimin material në 6 raste në zonën kadastrale 1574, ndodhur në Kallm dhe NB Frutore Durrës (zona bregdetare).
“Personat nën hetim, shtetasit R.Sh, Sh..Sh, A.M, V.M, B.XH dhe F.Xh nëpërmjet bashkëpunimit me punonjës të ASHK-së Durrës, falsifikuan dokumentacionin për regjistrimin e pasurive në kundërshtim me dispozitat ligjore me qëllim përfitimi material. Dokumentet e falsifikuara futeshin në arkivën e ish-ASHK-së Durrës duke marrë numra reference në disa raste të dubluara, dhe më pas janë hedhur në regjistrin e pasurive të paluajtshme, duke i vendosur data fiktive regjistrimi”, njoftoi prokuroria.
Gjithashtu, sipas prokurorisë rezulton se janë hequr fletët origjinale të regjistrit nga ku pasuria me zë kadastral “shtet” u zëvendësua me fletë të falsifikuara në emër të personave në hetim, të cilët më pas në disa raste për të humbur gjurmët i kanë shitur këto pasuri te persona të tretë.
Po ashtu rezulton se nga ana e punonjësve të ASHK-së Durrës, shtetasve A.K, B.Z, R.Z, J.G,L.D dhe A.C u janë regjistruar pasuritë me dokumentacionin e falsifikuar, në kundërshtim me dispozitat ligjore si dhe duke mos kryer verifikimet përkatëse të përcaktuara në këto dispozita.
Me kërkesë të Prokurorisë, gjykata caktoi masën “arrest me burg” për shtetasit R.SH., A.K., B.Z. dhe R.Z., “arrest në shtëpi” për Sh.Sh., V.M., A.M. dhe B.XH., si dhe “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për F.XH., J.M., L.D. dhe A.C.. Ata dyshohen për veprat penale të mashtrimit, falsifikimit të dokumenteve, shpërdorimit të detyrës dhe, në disa raste, pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale.
Gjithashtu u vendos në sekuestro preventive 53 mijë m2 tokë.
KOHA JONË SONDAZH

