Tmerr në anijen që po digjet afër Vlorës: Edhe 22 shqiptarë po luftojnë me vdekjen

Pasagjerë në bordin e një trageti për transport makinash dhe njerëzish, mes të cilëve edhe 22 shqiptarë, janë duke luftuar me flakët e zjarrit që përfshinë këtë traget prej mëngjesit të së dielës me t’u nisur nga brigjet greke me destinacion Italinë. Ata luten për ndihmë, ndërkohë që anijet e shpëtimit kanë hasur vështirësi të mëdha për t’iu afruar tragetit që po digjet, për shkak të erërave të forta dhe dallgëve të detit.

“Norman Atlantic”, i cili mban thuajse 500 pasagjerë dhe ekuipazh, si dhe më shumë se 200 mjete, ka qenë 44 milje në veriperëndim të ishullit të Korfuzit, kur dërgoi sinjalin e alarmit SOS, pas rënies së zjarrit në pjesën e pasme të tragetit, siç bënë të ditur zyrtarë të Rojes bregdetare greke.

Ende është e paqartë nëse ka viktima apo nëse ndonjë pasagjer është hedhur në ujë, gjë që nëse ndodh vështirë që ndonjë t’u mbijetojë temperaturave të ulëta të ujit nëse ndihma nuk vjen shpejt. Ndërsa, një person në bordin e tragetit thotë se erërat e forta kanë ndaluar anijet e shpëtimit t’i afrohen atij.

“Jemi duke u djegur, ose nëse nuk digjemi do të mbytemi. Askush nuk mundet të na ndihmojë”, tha Nikos Papatheodosiou për një televizion grek nëpërmjet telefonit.

“Ju lutem na ndihmoni! Mos na lini vetëm”, tha ai përpara se t’i mbyllej telefonata.

“Ata po përpiqen të ulin disa varka shpëtimi, por jo të gjithë pasagjerët mund të hipin mbi to. Nuk ka aspak koordinim”, tha një prej të rrezikuarve më herët.

“Është errësirë, ndërsa fundi i tragetit është përfshirë nga flakët. Ne jemi në pjesën e përparme, pamë një varkë që po afrohet… hapëm disa kuti të ndihmës së shpejtë dhe morëm disa jelekë shpëtimi, po përpiqemi të shpëtojmë veten”, janë disa nga komentet e raportuara në lidhje të drejtpërdrejtë me televizionet greke.

Pasagjerët thonë se janë duke pritur në pjesën e sipërme të tragetit, ndërsa ministri i Tregtisë Detare, Miltiadis Varvitsiotis, tha se kombinimi i motit tepër të keq me erëra deri në 88 km/h dhe zjarrit e ka bërë operacionin e shpëtimit ekstremisht të komplikuar.

“Po bëjmë gjithçka mundemi për t’i shpëtuar pasagjerët në bord dhe askush nuk do të mbetet i pandihmuar në këtë situatë të vështirë”, tha ai për reporterët. “Ky është një nga operacionet më të vështira që kemi pasur ndonjëherë”.

Ai nuk konfirmoi raportimet e mëhershme, sipas të cilave 130 persona janë shpëtuar tashmë, duke thënë se vetëm 35 persona kanë mundur të ngjiten në një anije konteinerësh që ndodhej aty pranë, “Spirit of Piraeus”, nga një varkë shpëtimit që mbante deri në 150 pasagjerë. Kushtet e vështira kanë bërë thuajse të pamundur afrimin e varkës sërish me anijen në fjalë.

Varvitsiotis tha se ishin 478 pasagjerë në bord, së bashku me ekuipazhin, më shumë nga sa ishte raportuar fillimisht (466).

Sipas mediave greke bëhet e ditur se kombësitë e pasagjerëve të rrezikuar janë si në vijim: 1 rumun, 2 rusë, 6 austriakë, 2 hungarezë, 10 zvicerianë, 1 kroat, 8 gjeorgjianë, 5 sirianë, 1 suedez, 1 kanadez, 2 ukrainas, 1 egjiptian, 18 gjermanë, 54 turq, 2 afganistanas, 22 shqiptarë, 1 maltez, 7 bullgarë, 3 nga Maqedonia, 2 britanikë, 22 italianë, 3 holandezë, 3 belgë, 9 francezë, 2 irakenë, 234 grekë. Ndërsa sa i përket ekuipazhit: 22 italianë dhe 34 grekë. Ndërkohë që anije shpëtimi dhe avionë janë dërguar për në vendngjarje, si nga pala italiane edhe ajo shqiptare.

Zjarri shpërtheu në pjesën e pasme të tragetit, besohet në garazhin e makinave, por ka pasur raportime të ndryshme se kur nisi ai. Raportimet fillestare thanë rreth orës 6 me orën lokale, ndërsa zyrtarë italianë thanë se ka nisur në 5 e 30 me orën greke.

Nga burime zyrtare mësohet se si autoritetet italiane edhe ato shqiptare janë duke marrë pjesë në operacion, në të cilin është përfshirë një avion C-130 dhe helikopterë.

SHKARKO APP