Akull, borë, ngrica. Ja situata në qarqet problematike të Shqipërisë

Përkeqësimi i motit gjatë ditës së sotme dhe reshjet e dendura të borës kanë shkaktuar bllokimin e disa akseve rrugore kryesisht në zonat rurale. Ndërkohë në disa akse nacionale ka pasur vështirësi në qarkullim, duke bërë të detyrueshëm përdorimin e zinxhirëve për automjetet.

Strukturat e Emergjencave Civile në rrethe dhe kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtjen e rrugëve kanë qenë në krye të detyrës duke pastruar dëborën në akset rrugore, duke hedhur skorie e kripë në rrugë apo duke u ardhur në ndihmë mjeteve që kishin probleme.

Tashmë problemet me reshjet dhe motin janë shtrirë edhe në zona të tjera të vendit dhe përveç disa qarqeve të veriut të vendit, kanë nisur të shfaqen problematika në qarkullim edhe në qarqet e Korçës dhe Vlorës.

Për shkak të motit të keq, ka probleme me furnizimin dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona në qarkun e Shkodrës, Lezhës dhe Kukësit.

Deri në mbrëmje nuk raportohen raste emergjencash shëndetësore në popullatë, ndërsa janë mbledhur, nën drejtimin e Prefektit, Komisionet e Planifikimit dhe Përballimit të EC, ku janë ndarë detyrat për përballimin e situatës, e cila deri në orën 22:15 sipas qarqeve paraqitet:

QARKU KUKËS

Ka pasur reshje bore që në qytete ka arritur trashësinë 25-30 cm, kurse në zonat rurale trashësia e borës ka qenë mbi 60 cm.

Të gjitha akset kombëtare kanë qenë përgjithësisht të qarkullueshëm pa zinxhirë. Në shkallë qarku kanë punuar gjithsej 32 mjete borëpastruese. Në rrugën e Kombit kanë punuar 8 borëpastruese.

•          Akset rrugore Kukës-Bushtricë, Kukës-Zapod, Krumë-Qafë Prushi-Kam, Bajram Curri-Qafë Morinë, kanë qenë të qarkullueshme me zinxhirë, kurse akset rrugore Bajram Curri-Valbonë, Bajram Curri-Qafë Luzhë, Fushë Dugagjin-Qafë, Shllak Kukës-Krumë, kanë qenë të qarkullueshme pjesërisht me zinxhirë.

•          Akset rrugore Fushë Dukagjin-Arrën, Bushtricë-fshati Fshat, Bushtricë-Grykë Çajë, Bushtricë – Buzmadhe, janë të bllokuara.

Policia Rrugore ka monitoruar qarkullimin e automjeteve duke këshilluar drejtuesit e mjeteve të përdorin zinxhirë në segmentet problematike.

QARKU SHKODËR

•          Ka pasur reshje të dendura dëbore, të cilat kanë krijuar probleme në segmentet rrugore të Qafë Thores, Shalë, Shosh, Iballë në bashkitë Shkodër, Koplik, Pukë dhe Fushë Arrëz.

•          Segmenti rrugor Bogë-Qafë Thore, Theth-Bregu i Lumit-Mali i Shoshi-Prekal, janë të bllokuar.

•          Ka pasur mungesa energjie në njësinë Dajç, dhe sipas informacionit OSHEE, është e pamundur të ndërhyhet pasi në këtë zonë, furnizimi me energji varet nga HEC-Ndërhysaj.

•          Ndërkohë po merren masa per hapjen e segmemtit rrugor Qafë Shosh-Shalë-Theth.

•          Akset rrugore Fushë Arrëz-Qafë Mali-Qafë Shllak, Qafë Mali-Dardhë-Fierzë dhe Fushë Arrëz-Iballë janë të bllokuara. Po punohet me mjete dhe forca për hapjen e këtyre akseve rrugore.

•          Aksi rrugor Pukë-Qelëz është i bllokuar, ndërkohë po punojnë dy borëpastruese në segmentin Fushë Arrëz-Pukë, dy borëpastruese në aksin e Iballës dhe në segmentin Qafë Mali si dhe një borëpastruese e ardhur nga Drejtoria e Emergjencave Civile në Bashkinë Pukë.

•          Segmentet rrugore Tamarë-Vermosh-Bashkim, Tamarë-Selcë janë të bllokuara.

•          Po punohet nga një fadrome nga DPEC në aksin e Qafë Thores dhe një fadromë e Bashkisë në segmentin Tamarë-Kozhnje, si dhe dy borëpastruese në Tamarë.

•          Në Temal, Vau Dejës, trashësia e dëbores ka arritur rreth 50 cm. Aksi Koman-Vau Dejës nuk ka probleme.

QARKU  DIBËR

•          Segmentet rrugore Muhurr-Çidhen-Lurë; Muhurr-Çidhën-Reç; Muhurr-Selishtë, janë të bllokuara.

•          Rruga nacionale Skuraj-Burrel është e qarkullueshme, me zinxhir. Po punojnë 1 borëpastruese, 1 fadrome, të cilat po bëjnë hedhjen e kripës dhe skorjeve.

•          Rruga nacionale Burrel-Qafë Bualli, është e qarkullueshme me zinxhirë. Po punojnë 2 borëpastruese dhe 1 fadromë.

•          Rruga Qafë Bualli-Krastë, është e bllokuar dhe po punohet për hapjen e saj.

•          Rruga nacionale Qafë Bualli-Peshkopi, është e qarkullueshme me zinxhirë.

•          Rruga Ura e Çerenecit-Steblevë, është e bllokuar dhe po punohet për hapjen e saj.

•          Rruga Peshkopi-Kala e Dodës (Vasie), është e qarkullueshme me zinxhirë.

•          Rruga Lurë-Peshkopi është e bllokuar.

Firmat kontraktore në territorin e Qarkut Dibër po punojnë me mjete dhe forca për të mbajtur të kalueshme akset rrugore dhe të bëjnë të mundur hapjen e akseve rrugore që kanë probleme

QARKU LEZHË 

•          Segmenti i ‘Rrugës së Kombit’, Rrëshen-Fan-Tunel, është i kalueshëm me vështirësi dhe me zinxhirë, nën monitorim nga policia.

•          Firma kontraktore po punon me 4 fadroma për mbajtjen në gatishmëri të rrugëve nacionale. Vazhdojnë reshjet e dëborës në zonat e thella të njësive administrative  Fan, Orosh dhe Selitë. Trashësia varion nga rreth 20-50 cm dëborë.

•          Rrugët rurale kalohen me zinzhirë. Furnizimi me energji  elektrike, ka qenë normal në të gjithë bashkinë.

QARKU KORÇË

Trashësia e dëborës ka arritur 10 cm. Ndërsa në Dardhë dhe Voskopojë trashësia e dëborës është 30 cm.

•          Akset rrugore Korçë-Dardhë, Korçë-Voskopojë, Korçë-Qafë Plloçë-Pogradec, Korçë-Qarr-Ersekë, janë të qarkullueshme me zinxhirë.

•          Në Qafë Thanë, Qafë Plloçë dhe Qafë Qarri ka ngrica si pasojë e temperaturave të ulëta dhe duhet të bëhet kujdes në qarkullimin e automjeteve.

QARKU VLORË

Në Qafë Muzinë, Qafë Gjashtë dhe Qafë Llogara si shkak i ngricave duhet pasur kujdes në qarkullimin e automjeteve.

Firmat kontraktore janë në gatishmëri me forca dhe mjete për të mbajtur situatën nën kontroll. Aktualisht të gjitha akset rrugore janë të qarkullueshme.

Nga qarqet e tjera të vendit nuk raportohen situata emergjente të krijuara nga kushtet e motit.

SHKARKO APP