Toka që po u kalbet “mishi”, toka që po u dalin “brinjët”

 A do të arrijë Shqipëria të kullojë tokat e fushës dhe të fitojë betejën me erozionin në ato kodrinore-malore?

 Nga Gjovalin Gjeloshi /Toka është pasuria më e madhe kombëtare e çdo vendi. Është tërësia territorial. Në fund të fundit, është vet ekzistenca kombëtare e një shteti në hartën e botës, janë trojet stërgjyshore. Nga ana tjetër, funksionet e tokës bujqësore janë të shumta dhe të pa zëvendësueshme. Nëse toka do të administrohet e përdoret sipas kritereve shkencore, ajo do të ruante veti universale të prodhimit. Toka është mbajtësja e të gjithë aktivitetit tonë të përditshëm dhe burimi ynë i vetëm i ushqimit. Kjo “devizë” vlen për të gjithë popujt e globit, për ne shqiptarët edhe pak më tepër. Jemi vendi me më pak tokë bujqësore për frymë. Njëzet vitet e fundit kanë treguar se po e paksojmë çdo vit këtë normë dhe se jemi populli që po merremi më pak se çdo popull tjetër me tokën bujqësore.

Sipërfaqe të konsiderueshme të tokave bujqësore po degradohen nga kripëzimi ose pakësimi i lëndëve ushqyese dhe mungesa e lëndës organike. Shkaktari i parë i kripëzimit është uji i tepërt që gjendet në volumin e tokës bujqësore. Shkencërisht, një gram tokë mund të përmbajë dhjetra milionë baktere. Secili grup i këtyre mikroorganizmave jep kontributin e tij në riciklimin e lëndëve ushqyese dhe kimikateve të rëndësishme në jetën biologjike të tokës. Në një tokë me terren të zhvilluar organik, zhvillimi i popullatës mikrobike është intensive dhe shoqërohet me përmirësimin e cilësive të shumta fizike të tokës. Gjithashtu përmirësohet struktura dhe qëndrueshmëria e agregateve strukturore, veçanërisht në kategoritë e tokave me strukturë ekstreme, si tokat ranore dhe të rënda argjilore. Në këto toka, me rritjen e popullatës mikrobike, përmirësohet poroziteti, ajrimi dhe kapaciteti ujëmbajtës i saj. Por nga ana tjetër, ky “gram tokë” nuk e luan më rolin e tokës bujqësore me veti prodhuese, nëse noton në një “gram ujë”.

Të gjitha sa thamë më sipër, e të tjera e të tjera veti, përbëjnë atë që ne e përkufizojmë si tokë bujqësore me prodhimtari të lartë. Territori ynë është i vogël dhe me burime tokësore të kufizuara. Edhe pse kështu, degradimi i tokës po rritet. Pjesa më e madhe e ushqimeve, që mund të sigurohen  nga prodhimi vendas, po vjen nga importi. Niveli i investimeve që shteti dhe shoqëria bën mbi tokën, ndikon direkt në mbrojtjen dhe rehabilitimin e burimeve tokësore, mbrojtjen e tokës nga erozioni dhe përmbytjet nëpërmjet përmirësimit të sistemit të kullimit dhe ujitjes, pyllëzime dhe prita malore, zgjerimi i kapaciteteve të hidrovoreve, ndërtimi i kanaleve për pritjen e ujrave të larta etj.

Përveç detyrimeve që ka shteti nëpërmjet legjislacionit që prodhohet dhe zbatimit me korrektësi të tij, edhe vet pronarët e rinjë të tokave duhet të kontribuojnë e të investojnë mbi tokën. “Tokën nuk e ke trashëgim nga babai, thonë amerikanët, ia ke borxh djalit”. Parë në këtë aspekt, pa dashur të kritikojmë ligjin e tokës të vitit 1991, që bëri pronarë të gjithë banorët që jetonin në fshatra e një pjesë edhe në qyteza, e shumica e tyre e mori tokën falas nga shteti, nuk do të thotë se, për një gjë të falur nuk duhet të kujdesesh. Është e vërtet se kur një mall e ke blerë me djersë e vlerëson më tepër, por toka nuk i përket  vetëm këtij brezi. Toka është e të gjithë brezave dhe këto breza kudo që të jetojnë, do të ushqehen. Bujqësia fillon nga toka. Në vendin tonë, qeveritë e pas vitit 1990 vetëm sa kanë folur, se bujqësia është prioritet, por ato nuk e trajtuan asnjëherë si të tillë. Prioriteti kombëtar shpallet në platforma e programe qeveritare. Përcaktohen standarte e kritere. Për bujqësinë, nëse do të ishte prioritet, objektivi i parë dhe themelor do të ishte mbrojtja dhe kujdesi ndaj tokës bujqësore. E  para, mbrojtja si sipërfaqe fizike dhe pastaj kujdesi ndaj pjellorisë, mbrojtja nga “kalbëzimi” nëpërmjet vënies në punë të “arterieve” të largimit të ujrave të tepërta. Numri i popullsisë që banon në fshat vazhdon të mbetet përsëri në shifra të larta dhe nuk duket se hë për hë ka ndalur vërshimi drejt qyteteve i popullsisë rurale. Por nuk është vetëm ky shkaku, që duhet të mbrohet e pasurohet toka. Popullsia e një vendi, kudo që të jetojë do të ushqehet dhe ky ushqim vjen vetëm nga toka.

Tokat kërcënohen nga përmbytjet në sipërfaqe të shumta, veçanërisht në zonën fushore bregdetare, ku shtrihet shumica dërmuese e tokave më të mira që ka Shqipëria. Nga Shkodra e deri në Sarandë, duke përfshirë edhe Lezhën tonë me rreth 15 mijë ha nga 18 mijë hektarët e saj, shtrihet brezi më i mobiluar i tokave bujqësore, të kategorisë së parë deri në të katërtën ku prodhohet çdo bimë. Të gjithë kësaj sipërfaqeje pa përjashtim, po i kalbet “mishi” prej ujrave të tepërta të cilat prej vitesh nuk kullohen si duhet në pikpamje agronomike. Me tokën bujqësore ka vite që nuk merret “shkenca e tokës”, por politika e institucioneve. Prej vitesh përmbytja e tokave trajtohet si emergjencë dhe jo si mungesë e theksuar e kujdesit ndaj tokës apo bujqësisë në tërësi. Edhe pse dihet se sa është sipërfaqja që përmbytet dhe ku shtrihen këto toka, shteti nuk merr e nuk zbaton masa paraprake. Emergjencë quhet një fatkeqësi që nuk e pret dhe jo një proces që e din se do të ndodhë sapo vjen stina e dimrit. Nga ana tjetër, nuk e përmend askush faktin e degradimit të tokave bujqësore për mungesë të theksuar të kullimit. Sistemi i kullimit pothuajse është braktisur edhe për shkak të shkatërrimit të sistemit të kanaleve të kullimit, të urbanizimit kaotik në tokat bujqësore, të fragmentimit të tokës në shkallë të lartë si dhe të mungesës së mirëmbajtjes të sistemit dhe infrastrukturës së kullimit të madh siç janë hidrovoret dhe kolektorët (kanalet e para kulluese).

Mirë, se gazetarët aq dinë dhe aq pyesin e shkruajnë, por edhe qeveritarët, edhe kryeministri e të gjithë flasin e propagandojnë masat antipërmbytje dhe as nuk pyet kush e as flet për masat që po merr Shqipëria për të kulluar tokat bujqësore fushore bregdetare. Këta, tw paditur pwr kwtw fushw, kujtojnë se, kur nuk shohin ujë mbi sipërfaqen e tokës, gjithshka e kemi në rregull, bujqësia nuk vuan, toka nuk lëngon, kur në të vërtet ajo është duke dhënë shpirt. Sipas statistikave, rreth 40 mijë ha janë të rrezikuar për përmbytje, por ka dhjetë herë më tepër sipërfaqe, (rreth 400 mijë ha) që edhe pse mund të mos përmbytet, është në të njëjtën gjendje: vuan nga lagështira e tepërt. Dhe këtë tepri lagështie nuk mund ta shohesh nga dritaret e helikoptetit, as nga kamera e televizionit dhe as me syzet e diellit të gazetarit. Atë “e sheh” vetëm këmba e atij që shkelë mbi sipërfaqen e parcelës, e sheh shpirti i atij që i dhemb për degradimin e tokës bujqësore dhe fëmija i atij që ushqehet me të ardhurat që merr prej asaj toke.

Erozioni është një nga format më të përhapura të degradimit të tokave kodrinore-malore kryesisht. Ai shkaktohet nga faktorët natyrorë dhe ndërhyrjet njerëzore. Është një proces gjeologjik, që përshpejtohet nga aktiviteti njerëzor. Erozioni ujor i tokës është forma më e përhapur kudo e veçanërisht në Shqipëri. Sipas të dhënave të publikuara, në disa pjesë të rajonit të Mesdheut, erozioni ka arritur një fazë të pakthyeshme. Shumë sipërfaqe toke në Shqipëri, hyjnë në këtë kategori. Erozioni ujor është më i përhapuri dhe prek sipërfaqen më të gjerë të territoreve. Mbulesa bimore është një nga masat më të rëndësishme për të kufizuar veprimin e erozionit. Veshja e tokave me bimësi, veçanërisht në zonat e larta të tokave pyjore, është mbrojtja më e mirë ndaj veprimit të erozionit. Sipas statistikave të botuara, para vitit 1990 në shkallë vendi, mbilleshin rreth 6 mijë ha pyllëzime të reja në vit, që ndikonin në mbrojtjen e tokës nga erozioni dhe ndërtoheshin rreth 60 mijë m3 prita malore që jo vetëm paksonin erozionin, por ndikonin edhe në mbrojtjen nga përmbytjet prej ujrave të larta. Tash 25 vite këto masa, por edhe të tjera që përmirësojnë e mbrojnë tokën bujqësore, realizohen në volume disa herë më të pakta, për të mos thënë shumë më të pakta. Sipas studimeve, në vendet ku pjerrësia është më shumë se 25% dhe pa mbulesë bimore, humbja e tokës nga erozioni arrin ekstremet 120-180 ton/ha. Në zonën kodrinore-malore të Shqipërisë, nuk po vuajnë nga ky fenomen vetëm tokat bujqësore (arë), por edhe masivet kullosore e pyjore të cilat janë zhveshur nga bimësia. Tokave të tilla u kanë dalë “brinjët” sepse “mishi” u ka rrëshqitur në dete e lumenj.

A do të arrijë vendi ynë që të shpëtojë tokat fushore bregdetare nga lagështia e tepërt që po i kalbë ato dhe a do të mund të mbrojë prej erozionit të pamëshirshëm qindra mijëra ha toka të tjera që po u mbesin vetëm “brinjët”, si pamja e një kufome kur e eksplorojmë në varr pas disa vitesh.

Marrë nga  gazeta periodike, “Drini”. Botim i Drejtorisë së Bujqësisë, Pyjeve dhe Zhvillimit Rural , Bashkia e Lezhës

gazeta-drini

SHKARKO APP