Tom Doshi po humbet të gjithë miqtë. Do të përballet edhe me Durim Bamin

Durim Bamit i tha mik dhe vëlla në intervistën e dhënë për Top Channel. Por 36 –vjeçari nga Fushë –Kruja duket se do të jetë një tjetër “mik” i humbur për Tom Doshin. Të dy do të përbllen në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Versionet që kanë dhënë janë të ndryshme dhe duket se prokurorët kanë nevojë për një ballafaqim mes tyre për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me të vërtetë. Tom Doshi pretendon se Bami është paguar për ta vrarë, por e ka falur. Këtë rrëfim Bami bën edhe në videon e xhiruar prej Doshit. Por pas arrestimit, 36 –vjeçari që i shpëtoi një atentati me eksploziv më 22 shkurt, ka dhënë një tjetër version para prokurorëve. Ai ka thënë se Doshi e ka kërcënuar dhe paguar për të thënë se ishte paguar për ta vrarë atë. Nëse do të mbajë këtë version edhe në përballjen mes tyre, ai bëhet “miku” i dytë që e tradhëton deputetin e Shkodrës. Një ditë më parë, Doshi u përball me një tjetër mik. Mark Frroku tha se nuk dinte asgjë në lidhje me ngjarjen për të cilën flet kolegu i tij. Tom Doshi nuk e priti aspak mirë dhe i ngriti tonet pavarësisht se gjendeshin përballë prokurorëve. Me këtë histori, Doshi humbi edhe mikun e tij të ngushtë të të paktën 10 viteve të fundit, Edi Ramën, i cili e përjashtoi nga Partia Socialiste, 6 muaj pasi ishte njohur me pretendimet e Doshit se ndaj tij po organizohej një atentat i kërkuar dhe sponsorizuar nga Ilir Meta.

SHKARKO APP