Tom Doshi thirret në prokurori, nën cilësinë e personit nën hetim

Deputeti Top Doshi  është thirrur sot paradite nga Prokuroria e Përgjithshme dhe është paraqitur  me makinën e tij personale rreth orës 10.00, i shoqëruar edhe nga policia, pasi ndodhet nën arrest shtëpie. Drejtuesi i grupit të hetimit Adnan Xholi, i ka dërguar fletë-thirrje deputetit të Qarkut Shkodër që të paraqitej në prokurori, ku mendohet se do të pyetet me cilësinë e personit nën hetim. Deputeti Doshi mbahet i izoluar me masën e sigurisë “arrest shtëpie” që nga data 28 mars, me vendim të Gjykatës së Lartë. Nuk përjashtohet mundësia që prokurorët t’i komunikojnë një akuzë të re pasi do ta marrin në pyetje në lidhje me veprimtarinë e tij si biznesmen. Vetëm dy ditë më parë Gjykata e Lartë shtyu seancën për revokim të masës së sigurisë. Avokatët e tij mbrojtës deklaruan se: “Ende nuk ka akuzë e nuk janë bërë me dije provat ndaj Doshit. Rrethanat lejojnë ndryshimin e masës së sigurisë. Zvarritja e çështjes nga Prokuroria është evidente megjithëse thotë që po vepron me shpejtësi. Situata absurde duhet të ishte shqetësuese për të gjithë qytetarët. ” Deputeti Tom Doshi u prangos pak ditë më parë për kallzim të rremë, mbi një atentat që ai pretendoi se ishte i planifikuar të realizohej ndaj tij, dhe më pas u la në “arrest shtëpie” me vendim të Gjykatës së Lartë. Në dy ditët e fundit ish-deputeti i maxhorancës kërkoi nga e njëjta gjykatë, që të marrë lirinë e plotë.

SHKARKO APP