Tomini: Komiteti teknik zvogëloi orën e lëvizjes për shkak të infektimeve të larta dy javët e fundit
E ftuar në RTV Ora, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini, shpjegoi pse u caktua ora 20:00 për mbylljen e vendit në kuadër të masave anti-Covid.
Sipas Tominit, këto masa janë marrë pasi është vënë re një rritje e infektimeve, sidomos te moshat e reja që janë edhe më aktivët në lëvizje.
Tomini: Duke parë transmetueshmërinë e virusit dhe rritja e numrit të infektimeve të paktën dy javët e fundit, sigurisht që masat shtrënguese mbështeten në reduktimin e lëvizjes së individëve dhe në frekuentimin e ambienteve si baret e restoranteve, apo klubeve të natës që ishin të hapura deri në orën 22:00. Për këtë arsye edhe ekspertët e komitetit teknik vlerësuar zvogëlimin e orës së lëvizjes. Ne kemi hasur një incidencë të lartë te mosha aktive 15-24 vjeç në dy javët e fundit, si dhe në moshën 34-45 vjeç që është grupmosha që është aktive dhe frekuenton bizneset e ndryshme.
Ka një intensitet të rritjes së atyre që kërkojnë trajtimin spitalor dhe një ulje të moshës. Është një grupmoshë e re ajo e cila ka tendencë për të kërkuar shërbim spitalor, pasi kjo është një grupmoshë aktive dhe me imunitet. Të gjitha strukturat janë në alert dhe kapacitetet janë akoma të pa ezauruara. Skenarët sipas planeve të veprimit, ministria i ka gati për t’i menaxhuar të gjitha rastet në spitalet rajonale.
Tomini shtoi se pas 14-15 shkurtit do të vijë sasia tjetër nga Pfizer dhe deri në fund të shkurtit do të vijë edhe sasi me 10 mijë dhe 20 doza.
Tomini: Pas 14-15 shkurtit do të vijë sasia tjetër nga Pfizer dhe deri në fund të shkurtit do të vijë edhe sasi me 10 mijë dhe 20 doza. Kontratat respektohen nga të dyja palët dhe besojmë se do të respektohen të gjitha pikat e kontratës. Janë protokollet e sigurisë të miratuar nga ekspertët dhe grupet e terrenit do të monitorojnë zbatimin e masave në mënyrë rigoroze në terren. Po ashtu, duhet bërë e mundur respektimi i distancës mes tavolinave. Grupet në terren dhe policia e shtetit do të jetë shumë rigoroze në zbatimin e këtyre masave. Kjo është një betejë që duhet të fitojmë bashkë.