Toni dhe Bami do ballafaqohen në Prokurori

Një tjetër ballafaqim pritet të zhvillohet në Prokurori gjatë ditëve në vazhdim, me qëllim zbardhjen e të vërtetës për akuzat e deputetit Tom Doshi lidhur me komplotin për vrasjen e porositur ndaj tij nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta.

Gazeta “Panorama” bën të ditur se ish-deputeti i PS pritet të vendoset përballë shtetasit Durim Bami, i cili pas arrestimit ka mohuar para prokurorëve të ketë marrë porosi për vrasjen e deputetëve. Në këtë ballafaqim, sipas Prokurorisë do të jetë i pranishëm edhe dëshmitari Fatjon Skënderi. Ballafaqimi i deputetit me dy personat, sipas akuzës bëhet për shkak të dëshmive të kundërta që ata kanë dhënë para grupit të hetimit.

Tom Doshi ka pretenduar se me porosi të Fajton Skënderit, Durim Bamit i ishin ofruar 500 mijë euro për vrasjen. Sipas Doshit, Durim Bamit i ishin ofruar edhe 100 mijë euro për ekzekutimin e deputetit të PD, Mëhill Fufi. Ndërkaq pas arrestimit, Durim Bami mohoi të kishte marrë ndonjë porosi për kryerjen e vrasjeve. Ai theksoi se deklarimet e tij në videon e regjistruar në zyrën e Tom Doshit, i kishte dhënë sipas kërkesës së bërë nga ky i fundit.

SHKARKO APP