“Top Sekret” për bandën e tritolit
Gjykata e Krimeve të Rënda i konsideroi të rregullta masat e shpallura në mungesë ndaj Kamber Brukës, Lumjan Matmujës, Erjon Dules dhe Ernest Gjutës.
Vleftësimi i masës së sigurisë u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërkohë që në këtë rast si rrallë ndonjëherë gjykata ka deklaruar se ndalohet publikimi i çdo të dhëne apo materiali që po hetohet në këtë dosje.
Të pandehurit dyshohen të kenë kryer vepra me qëllime terroriste, krijim të grupit të strukturuar kriminal dhe pjesëmarrje në grup kriminal.
Dy persona të tjerë janë në kërkim, ndërsa për të shtatin e këtij grupi, shtetasin Emirjon Gjuta i arrestuar më herët u vendos një ditë më parë masa arrest me burg.
Prokuroria e Krimeve të Rënda i dyshon ata si të përfshirë në shpërthimin e farmacisë nën pronësi të Bashkim Tahirit, babai i Ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri dhe në ngjarjen tjetër të ndodhur në rrugën “Muhamet Gjollesha” ku u shmang një shpërthim i dytë.
Prokuroroia e Përgjithshme thotë se këta shtetas në bashkëpunim edhe me persona të tjerë ende të paidentifikuar kanë përgatitur, vendosur dhe shpërthyer lëndën plasëse të telekomanduar.