Trafik droge edhe në radhët e elitës së policisë. SHKB arreston policin me 2 kg kokainë

 

Një efektiv i Forcave Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit u arrestua pasi u kap me mbi 2 kilogram kokainë. H.Demushaj u prangos nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Lënda narkotike iu gjet në shtëpi. Mesohet se SHKB e Tiranës kishte rënë prej disa kohësh në gjurmët e një rrjeti të trafikut të drogës ku bënte pjesë edhe efektivi i policisë.

Ai është anëtar i të njëjtës njësi elitë të Policisë së Shtetit, ku punonte edhe polici Roland Meta, i cili u arrestua pas atentatit ndaj Pajtim Serjanit, të ndodhur në fillim të janarit tek rruga e Kavajës, pasi vrau atentatorin Artur Baze, ndonëse nuk ishte në shërbim, por gjendej nën shoqërinë e një të skeduari të policisë.

Trafiku i drogës prek kështu si rrallë ndonjëherë edhe njësitë e specializuara të luftës kundër krimit dhe trafiqeve në policinë shqiptare.

Ekspertët e antidrogës flasin për rikthimin e Shqipërisë në një vend transit dhe të përpunimit të drogave të forta dhe për riaktivizimin e një linje të vjetër të trafikut të drogës; atë Turqi – Shqipëri – Itali.

Një ditë më parë, një 56 –vjeçar shqiptar, Ruzhdi Elezi nga Elbasani u arrestua në Padova pasi u kap me 30 kg heroinë. Droga dyshohet se vinte nga Shqipëria..

Po në Itali, katër ditë më parë, në një super-operacion, policia e vendit fqinj zbuloi 3 ton drogë, kokainë, heroinë e marijuanë, që vinte nga vendet e Amerikës Latine dhe Shqipëria dhe arrestoi 33 persona, mes tyre edhe shqiptarë. Kokaina dyshohet se vinte nga Amerika e Jugut, ndërsa heroina hynte vinte nga Turqia dhe përmes Shqipërisë kalonte në Itali. Vlera e drogës së kapur në operacionin “Gentlemen” mendohet se arrinte në 45 milionë euro.

 

Një tjetër sasi e madhe heroinë u kap dy javë më parë në Stamboll, në një kamion me targa shqiptare. 50 kilogram heroinë u gjetën në kamionin e ngarkuar me hidrosanitare që kishte destinacion Shqipërinë. Dyshohet se pas përpunimit në Shqipëri, kjo sasi do të përfundonte në Itali.

 

Nga Turqia dyshohet të ketë hyrë në Shqipëri edhe lënda e parë për përpunimin e kokainës së gjetur në laboratorin e ngritur në Xibrakë të Elbasanit, i cili u zbulua vetëm pas sinjalizimeve të autoriteteve gjermane. 9 persona, mes tyre edhe 2 kolumbianë, specialistë të përpunimit të kokainës, u arrestuan. Dy të tjerë, janë në kërkim.

E gjithë kjo situatë ka alarmuar vendet partnere. Një takim u zhvillua pak ditë më parë në Selanik mes drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit dhe disa drejtues të DEA –s, Agjencisë Amerikane të Antidrogës, në lidhje me laboratorin e kokainës në Elbasan.

Shqetësim për trafiqet dhe krimin e organizuar shprehu një ditë më parë edhe presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, në takimin që pati me kryeministrin Rama. Ai i tha hapur se lufta kundër krimit të organizuar ishte prioritare.

Por shërbimet partnere kanë shprehur shqetësim edhe për përfshirjen e rangjeve të larta të politikës në trafiqet e paligjshme. Në muajin tetor të vitit të shkuar, kreu i një rrjeti të trafikimit të marijuanës nga Shqipëria në Itali, i shpëtoi një operacioni të përbashkët të policisë shqitare, asaj malazeze dhe policisë italiane, pasi u strehua në makinën e një deputeti të majtë.

SHKARKO APP