Trafiku i fëmijëve në Britani: Shqiptarët të dytët

 

Gazeta prestigjioze "The Guardian" ngre shqetësimin se të mitur, kryesisht të moshës 15-17 vjeç, futen në Britaninë e Madhe nga grupe të organizuara të trafikut dhe një pjesë e tyre shfrytëzohen për veprimtari të paligjshme. Fëmijët e komunitetit rom, më të rrezikuarit

Fakte tronditëse të shfrytëzimit të fëmijëve shqiptarë vijnë nga Britania e Madhe. Pas Vietnamit, fëmijët shqiptarë mbajnë vendin e dytë për nga numri i lartë që shfrytëzohen për prostitucion, krime të ndryshme, lypje apo punë të detyruar.

Në këtë përfundim arrijnë disa organizma në Britani, të cilët janë pyetur nga gazetarë të “The Guardian”.

Gazeta prestigjioze britanike i ka kushtuar një artikull të gjatë këtij fenomeni, ndërsa tregon edhe të dhëna vërtet shqetësuese për sa i përket numrit të lartë të fëmijëve shqiptarë që shfrytëzohen nga organizata të ndryshme kriminale.

Para së të mbërrijnë në Britani, jeta e një pjese të këtyre fëmijëve ka qenë po aq e vështirë, pasi dyshohet se janë shfrytëzuar edhe në Shqipëri apo Greqi.

“Të dhënat tregojnë se një numër në rritje i fëmijëve nga ish-vendi komunist po mbërrin në Mbretërinë e Bashkuar, shpesh në mënyrë vullnetare, por që përfundojnë duke u shfrytëzuar”,- shkruan gazeta “The Guardian”.

“Gjatë vitit të shkuar ka pasur një rritje të numrit të fëmijëve të trafikuar nga Shqipëria, të cilët ne i mbështesin me anë të shërbimit tonë”, – tregon Javed Khan, shefi ekzekutiv i qendrës së bamirësisë “Barnardo”, e cila është pjesë e sistemit të ngritur nga autoritetet britanike për t’u ardhur në ndihmë të miturve të trafikuar.

Sipas “The Guardian”, ai shprehet se disa nga këta fëmijë janë përdorur për punë të detyruar, shpesh në ndërtim, por shumica janë shfrytëzuar për aktivitete kriminale.

“Ne besojmë se ata janë shfrytëzuar më parë brenda vendit të tyre, përpara se të mbërrinin këtu. Ne e dimë që ata kanë përjetuar trauma”, – thotë Khan.

Qendra “Barnardo” u jep edhe ndihmë avokatore fëmijëve të trafikuar për t’i mbrojtur që mos të bien sërish në duart e bandave të krimit të organizuar.

Shumica e fëmijëve të ndihmuar prej saj janë të moshave 15 dhe 17 vjeç. Ata kanë pranuar se janë kërcënuar në forma të ndryshme nga shfrytëzuesit. Kërcënimet kanë pasur të bëjnë edhe me jetën e familjarëve.

Nga të dhënat paraprake të një projekti pilot që po zbatohet në 3 rajone të Britanisë së Madhe, rezulton se fëmijët shqiptarë të trafikuar përbëjnë një të katërtën e të gjithë fëmijëve të ndihmuar nga shërbimi i ri që është ngritur për t’u ardhur atyre në ndihmë.

Shqiptarët janë të dytët në numër pas vietnamezëve, të detyruar të punojnë në plantacionet me kanabis dhe përbëjnë 30 për qind të rasteve të identifikuara nga “Barnardo”.

Artikulli i “The Guardian” vijon më tej të tregojë se pesë vite më parë fëmijët shqiptarë nuk njiheshin si grup në rrezik trafikimi në Britaninë e Madhe. Shumica e fëmijëve që detyrohen të punojnë si skllevër në Britaninë e Madhe vijnë nga Vietnami, me 31 për qind, Rumania 16 për qind, Maroku 16 për qind dhe Nigeria 13 për qind.

Një e treta e fëmijëve të ndihmuar nga “Barnardo” kanë qenë pre e shfrytëzimit për qëllime seksuale, ndërsa dy e pesta e tyre kanë qenë subjekt i punës së detyruar.

Një në 10 fëmijë është përdorur si shërbyes shtëpiak, ndërsa 5 për qind kanë qenë të detyruar të lypin apo për të kryer krime të vogla. Në dy vitet e fundit policia ka arrestuar një numër të madh shqiptarësh që vijnë në Britaninë e Madhe me kamionë.

Trafikantët përdorin kryesisht rrugët tokësore dhe dokumente të falsifikuara për të dërguar viktimat e tyre përtej kufijve. Rrëmbimi dhe mashtrim i grave dhe vajzave të reja për shfrytëzim prostitucioni mbetet metoda kryesore e “rekrutimit” që përdorin trafikantët.

Gjithsesi, artikulli i “The Guardian” thekson se raporti i vitit 2010 tregon se “në vitin 2007, Greqia ka qenë destinacioni kryesor i fëmijëve të trafikuar nga Shqipëria apo që kanë kaluar tranzit nga Shqipëria”.

Çështja mbetet mjaft problematike, sidomos për sa i përket numrit të madh të të miturve që kalojën ilegalisht kufirin, qoftë edhe vullnetarisht, por që më pas përfundojnë në duart e trafikantëve apo organizatave të ndryshme me aktivitete kriminale.

 

Skandali në Greqi, 500 fëmijë u trafikuan nga qendra bamirëse

 

Është ndër skandalet më të mëdha, por ashtu sikurse u hap, pa shumë bujë, edhe u mbyll po aq lehtë nga pala greke. Mbi 500 fëmijë shqiptarë të strehuar në qendrën “Agjia Varvaras” në Athinë të Greqisë, u larguan pa pasur asnjë kontakt dhe fëmijët e strehuar, kryesisht të komunitetit rom, përfunduan në duart e trafikantëve. Këta fëmijë, shumica e komunitetit rom, ishin zhdukur gjatë viteve 1998-2002. Për këtë rast pati reagime nga organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe Avokati i Popullit në Greqi. Autoritete vendase tre vjet më parë urdhëruan rihapjen e hetimeve, por deri më tani nuk ka asnjë person të akuzuar dhe për më tepër nuk dihet fati i shumë fëmijëve që u strehuan në këtë qendër, por më pas përfunduan po në duart e trafikantëve. Skandali ishte i përmasave të mëdha, pasi dyshohet se 502 nga 661 fëmijë romë nga Shqipëria janë zhdukur nga Instituti “Agjia Varvara” brenda viteve 1998-2002. Paçka se fenomeni shqetësues kishte vite që vijonte, ai u bë publik vetëm me mbylljen e kësaj qendre të ashtuquajtur bamirësie. Fëmijët, që merreshin nga organizata të ndryshme apo policia nga rruga teksa lypnin apo punonin, dërgoheshin në këtë qendër. Aty presupozohej se do të trajtoheshin me ushqim, strehim, shkollim dhe më pas të integroheshin, por ndodhi e kundërta. Shumë fëmijë dyshohet se u rimorën nga trafikantët dhe ridërguan sërish në rrugë për të lypur apo shfrytëzoheshin edhe për qëllime të tjera, si prostitucion, grabitje, apo punë të rëndomta. Vetëm në vitin 2004, organet greke kanë publikuar raportin për zhdukjen e fëmijëve shqiptarë dhe në 2007 gjithë dosja me dokumentet e kësaj çështjeje iu është dorëzuar organeve shtetërore. Por prej asaj kohe, kjo çështje ka qëndruar krejt në heshtje dhe nuk ka nisma për t’u shkuar hetimeve deri në fund. Skandalin e zhdukjes së 502 fëmijëve shqiptar në Institutin Bamirës në “Agjia Varvara”e zbuloi organizata ndërkombëtare “The Swiss Terre Des Hommens” në vitin 2003. Të dhënat e kësaj organizate tregonin se ekzistojnë edhe shumë raste të tjera të ngjashme në Greqi, ku në 15 vitet e fundit janë futur në mënyrë të paligjshme mbi 3800 fëmijë shqiptarë, prej të cilëve më shumë se një e katërta nuk janë gjetur kurrë.  Gjithsesi, me forcimin e kufijve ka pasur një frenim të madh të trafikut të fëmijëve, çka ka bërë që grupe të organizuara, kryesisht nga komuniteti rom të tërhiqen nga shfrytëzimi i fëmijëve, pasi nëse zbuloheshin dhe arrestoheshin, do rrezikonin shumë vite burgim.

 

Shifrat zyrtare dhe “trafiku” me dëshirë

Mbetet vërtet problem, por nuk përjashtohet mundësia që në shifrat e të miturve shqiptarë që rezultojnë si persona të trafikuar në Britaninë e Madhe janë edhe ata që kanë shkuar me dëshirë. Janë kryesisht persona nën 18 vjeç, që kalojnë ilegalisht në Britani tek të afërmit e tyre dhe më pas regjistrohen në qendra të ndryshme për trajtimin e të miturve, pasi është një nga mënyrat për t’u pajisur me dokumentacion. Duke qenë se kanë të afërm në Britani dhe disponojnë dokumente, ata priten fillimisht prej tyre dhe pas disa kohësh dërgohen në qendra të ndryshme për trajtimin e të miturve dhe aty ngrenë pretendime se janë të trafikuar. Në të vërtetë, udhëtimi i tyre drejt Britanisë së Madhe është një rrezik serioz, pasi u duhet të udhëtojnë në kushte shumë të vështira dhe zakonisht fshihen në kamionë apo tragete mallrash për të kaluar në Angli. Paguhen grupe të ndryshme trafikantësh në shuma të mëdha për udhëtimin që kryejnë dhe zakonisht ndiqet itinerari Belgjikë-Francë-Angli. Ajo që mbetet problem shqetësues është se në mesin e emigrantëve janë edhe të mitur që tentojnë të shkojnë tek të afërmit dhe të integrohen në Angli.

 

 

SHKARKO APP