Tragjedi në Athinë, vrau të dashurën shqiptare, pastaj u vetëvra, dëshmitë e fqinjëve zbulojnë detaje të reja
Greqia është tronditur nga një akt i rëndë dhune, ku një burrë dhe një grua me origjinë shqiptare u gjetën të pajetë, të goditur nga arma zjarri, në hyrje të një pallati banimi në Athinë.
Sipas hetimeve paraprake të autoriteteve greke, skenari i ngjarjes duket se ka qenë i planifikuar nga vetë autori i krimit. Burri, dyshohet se e ka pritur 45-vjeçaren teksa ajo po dilte nga pallati ku banonte. Mes tyre ka shpërthyer një debat i ashpër, i cili përfundoi në mënyrë tragjike: burri e qëlloi me armë zjarri gruan, duke ia marrë jetën në vend, ndërsa më pas ktheu armën ndaj vetes dhe u qëllua në kokë.
Banorë të zonës kanë rrëfyer për mediat greke momentet e frikshme të asaj nate. Sipas tyre, u dëgjuan tri të shtëna me armë zjarri, me një distancë prej disa sekondash mes tyre.
“Isha në shtëpi, në gjumë të lehtë. Papritur dëgjova tri zhurma shumë të forta, nuk e dija menjëherë nëse ishin të shtëna arme. Pas tyre erdhi një heshtje disa sekondash, e më pas u dëgjua sirena e policisë. Nuk e kuptova në çast se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë,” ka rrëfyer një banor i pallatit, ende i tronditur nga ngjarja.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se dy viktimat nuk kishin qenë të martuar me njëri-tjetrin. Ndërkaq, sipas burimeve greke, në atë pallat banonte vajza e 45-vjeçares – detaj që e bën ngjarjen edhe më të dhimbshme, pasi krimi ndodhi pikërisht në afërsi të familjes së saj.
Autoritetet greke kanë vënë në dorë pamjet filmike të kamerave të sigurisë të zonës, të cilat besohet se kanë kapur skenën e plotë të ngjarjes. Këto pamje pritet të ndihmojnë hetuesit të rindërtojnë me saktësi sekuencën e ngjarjeve dhe të konfirmojnë hipotezën e “pritës” së planifikuar nga autori.
Hetimet vazhdojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat që çuan në këtë tragjedi familjare.
KOHA JONË SONDAZH

