Tragjedia me 2 humbje jete në Vaun e Dejës, Urgjenca: Autoambulanca kishte defekt teknik, dy mjete u nisën nga Shkodra
Pas protestës së banorëve të Vaut të Dejës lidhur me vonesën e ambulancës në dy ngjarjet ku humbën jetën David Deda dhe Sokol Preka, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka reaguar duke dhënë versionin e saj për situatën. Sipas QKUM-së, autoambulanca që mbulon zonën kishte pësuar një defekt teknik, ndaj për të dyja rastet u angazhuan ambulanca të nisura nga Spitali Rajonal i Shkodrës.
Institucioni sqaron se telefonata e parë për ndihmë mjekësore është regjistruar në orën 18:03, ndërsa ambulanca ka mbërritur në vendngjarje në orën 19:44. Për rastin e dytë, kërkesa për ndihmë është bërë në orën 18:53 dhe ambulanca e dytë ka mbërritur në orën 19:54.
QKUM thekson se bëhet fjalë për dy raste të ndryshme. Në rastin e parë, sipas saj, një infermiere e zonës kishte nisur menjëherë procedurat e reanimimit, duke dhënë ndihmën e parë deri në mbërritjen e autoambulancës. Ndërsa në rastin e dytë, institucioni deklaron se elektricisti është konstatuar pa shenja jete që në momentin e vlerësimit fillestar.
Deklarata e plotë
Në lidhje me ngjarjen tragjike të datës 29 gusht 2026 në Vaun e Dejës, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore (QKUM), në funksion të transparencës dhe informimit të saktë të publikut, sqaron dinamikën e ndërhyrjes së shërbimit të urgjencës mjekësore. Në këtë ngjarje janë regjistruar dy raste të veçanta, të dyja si pasojë e goditjes nga rryma elektrike, të ndodhura në momente të ndryshme. Rasti i parë është raportuar si urgjencë për goditje elektrike. Në vendngjarje ndodhej një infermiere e zonës, e cila kishte nisur menjëherë manovrat e reanimimit kardiopulmonar, pa mundur të rikthente qarkullimin spontan.
Sipas të dhënave të regjistruara në sistemin e urgjencës, thirrja është marrë në orën 18:03. Në atë moment, ambulanca e Vaut të Dejës ndodhej jashtë funksionit për shkak të një defekti teknik. Për këtë arsye, drejt vendngjarjes është nisur ambulanca nga Spitali i Shkodrës, e cila ka mbërritur në orën 19:44.
Manovrat e reanimimit janë vijuar edhe gjatë transportit drejt Spitalit të Shkodrës. Pavarësisht përpjekjeve të personelit shëndetësor, nuk u arrit rikthimi i qarkullimit spontan dhe pacienti humbi jetën. Rasti i dytë i përkiste elektricistit, i cili, disa minuta më vonë, kishte shkuar në vendngjarje për të ndërhyrë në problemin elektrik. Gjatë ndërhyrjes, edhe ai u godit nga rryma elektrike dhe humbi jetën.
Për këtë rast, kërkesa për ndihmë mjekësore është regjistruar në orën 18:53. Në vlerësimin fillestar, personi rezultonte pa shenja jete. Në këtë moment, ambulanca e dytë nga Shkodra është nisur drejt vendngjarjes dhe ka mbërritur në orën 19:54. Rasti është konstatuar dhe referuar si Kod i Zi në vendngjarje. Goditja elektrike përbën një urgjencë mjekësore me rrezik shumë të lartë për jetën dhe, në rastet e rënda, mund të shkaktojë arrest kardiak dhe vdekje të menjëhershme.
Mbi çdo sqarim institucional, kjo mbetet para së gjithash një ngjarje tragjike, e cila solli humbjen e dy jetëve njerëzore. Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore shpreh keqardhjen e thellë për këtë humbje dhe u përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjeve dhe të afërmve të dy viktimave. Në këto momente të vështira, QKUM bashkohet me dhimbjen e familjeve për humbjen e njerëzve të tyre të dashur.
KOHA JONË SONDAZH

