Tragjedia në Mesdhe mbi 700 të vdekur. Në bord 950 persona, mes tyre 50 fëmijë e 200 gra

 

Viktimat e tragjedisë së një dite më parë në detin Mesdhe mund të jenë mbi 900.

Numri i personave mbi anijen e peshkimit që u përmbys ndërsa po udhëtonte nga Libia për në Lampeduza fillimisht u vlerësua deri në 700, por një prej të mbijetuarve tha se në bordin e anijes kishte mbi 950 vetë, mes tyre 200 femra dhe 50 fëmijë.Autoritetet italiane kanë arritur të shpëtojnë vetëm 28 vetë, ndërsa 24 trupa të pajetë janë rikuperuar deri tani, ndërsa operacioni i kërkim – shpëtimit vazhdon.

Sipas zëdhënësit të Organizatës Ndërkombëtare të Emigracionit në Itali, Flavio di Xhakomo, nëse kjo shifër konfirmohet, numri i viktimave në detin Mesdhe për këtë vit arrin në 1600.

Tragjedia e fundit ka vënë në shënjestër Bashkimin Europian dhe misionin “Triton” për ruajtjen e kufijve detarë të unionit.

Në mbledhjen urgjente të qeverisë të dielën, kryeministri italian, Mateo Renci, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndërhyjë për të ndarë përgjegjësitë me vendin e tij dhe të mos e lërë Italinë të vetme.

Pas thirrjes së Rencit dhe presidentit francez, François Hollande, Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian pritet të takohen sot në Luksemburg për të diskutuar mbi krizën e emigracionit dhe masat konkrete që do të merren.

Ndërkohë në portin siçilian të Pocalos, në orët e para të së hënës kanë mbërritur 98 emigrantë të tjerë, të shpëtuar nga një varkë gjysmë e prishur që endej në det të hapur.

Autoritetet portuale thanë se 41 prej të shpëtuarve ishin femra dhe fëmijë, të cilët u sollën në breg para të tjerëve dhe u strehuan në qendrat e specializuara për të marrë ndihmën e parë.

SHKARKO APP