Tragjedia në Tepelenë, nëna e kishte mbuluar foshnjen me trupin e saj por digjen të dy

Tepelenë/Zjarri në familjen Shehu, trupat e viktimave të paidentifikueshëm nga djegia

Nga: Redjon Shtylla

Zjarri shkrumboi banesën në të cilën po flinin gjumë nëna 35 vjeçe, bashkë me foshnjën e saj vetëm 6-të muajshe.  Muret, dera, orenditë shtëpiake, çdo gjë brenda banesës së tragjedisë, ku u shuan nëna 35-vjeçare dhe foshnja e saj 6 muajsh është shkrumbuar. Tragjedia ka shokuar banorët e Tepelenës, të cilët u përpoqën që t’i vinin në ndihmë gruas. Banesa e tyre në katin e parë të një pallati në lagjen “15 Shtatori” u përfshi nga flakët.

Swiss Digital Desktop Reklama

‘Ndodhi gjithçka shumë shpejt. Askush nuk arriti dot të hynte pasi flakët kishin përfshirë gjithçka. Kemi parë tmerr. Nuk e dimë cili mund të jetë shkaku, por kjo që ndodhi është një tragjedi shumë e rëndë për familjen. Ne dëgjuam një shpërthim, ç’ka mund të ketë qenë bombola e gazit”- u shpreh një banor i pallatit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sipas ekspertizës paraprake nga grupi hetimor i mbërritur në vendngjarje bëhet e ditur se nëna ka dashur të shuajë flakët tek i biri 6-muajsh, rrobat e të cilit kishin marrë flakë. Në momentin e rënies së zjarrit, gruaja ka qenë  e vetme në banesë me foshnjen, ndërkohë që i shoqi me djalin tjetër 4 vjeç nuk ndodheshin aty.

Burime policore kanë bërë me dije se viktima Elona Shehu, 35 vjeçe dhe foshnja e saj, kanë humbur jetën menjëherë, pasi ishin më gjumë kur ra zjarri. Dyshimet janë se zjarri ka rënë për shkak të një rrjedhje gazi. Mësohet, gjithashtu, se nëna me foshnjën kanë qenë vetëm në momentin që banesa është përfshirë nga flakët, ndërsa burri dhe fëmija tjetër ndodheshin jashtë. Policia në njoftimin për mediat ka bërë me dije se: “Në lagjen “15 Shtatori”, Tepelenë, në katin e parë të pallatit, në banesën e Shehut, ka rënë zjarr. Si pasojë e zjarrit kanë gjetur vdekjen gruaja e tij si dhe djali 6 -muajsh”.

Burimet bëjnë me dije se në momentin e rënies së zjarrit në shtëpi ka qenë vetëm foshnja dhe nëna e saj ka hyrë më pas për ta nxjerrë, por nuk ia ka dalë. Zjarri ka rrezikuar edhe apartamentet e tjera, ndërsa zjarrfikëset e Tepelenës kanë nisur urgjent punën për shuarjen e flakëve. Ndërsa ekspertët në vendngjarje po hetojnë ende për të zbuluar çfarë e shkaktoi rrjedhjen e menjëhershme të gazit, trupat e viktimave janë transportuar në morgun e qytetit të Tepelenës, nga ku konfirmohet, se pothuajse ishin të paidentifikueshëm nga djegia.

Ngjarja

Nëna e re 35-vjeçare humbi jetën bashkë me foshnjën e saj 6-muajshe brenda banesës së tyre në qytetin e Tepelenës, ndërsa policia dyshon se shkak për zjarrin në katin e parë të banesës në lagjen “15 Shtatori” është bërë rrjedhja e gazit. Një nga hipotezat e mundshme të ngritura nga policia është fakti që nëna e re, e cila ndodhej vetëm me foshnjën në banesë është përgjumur, ndërsa bombola e gazit që përdorej për ngrohje ka qenë e ndezur. Gjatë kohës që gruaja flinte bashkë me foshnjën, dyshohet të ketë pasur rrjedhje të menjëhershme gazi. Më pas, nuk dihet nëse ka qenë vetë Elona Shehu ajo që ka ndezur dritën, por burime të policisë konfirmojnë se shpërthimi ka ndodhur pikërisht në momentin kur është ndezur drita. Të njëjtat burime thonë se bashkëshorti i saj nuk ndodhej në banesë në momentin e shpërthimit, ndërsa çifti kishte edhe një fëmijë tjetër, një djalë 5-vjeçar.

Bashkia anulon koncertin e fundvitit

Dje në mbrëmje ishte planifikuar që të mbahej një koncert për festat e fundvitit, por Bashkia e Tepelenës e anuloi eventin për shkak të tragjedisë që ndodhi pas vdekjes së nënës dhe foshnjës së saj. Mësohet se pjesë e kësaj feste do ishte dhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro si dhe ministri i Çështjeve Vendore, Bendi Çuçi, të cilët do të jenë kryesues të listës së kandidatëve për deputet në këtë qark.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?