Tragjedia në Velipojë, turistët në panik. Shpërthen depozita e fshehur me gaz, dy persona në gjendje kritike

Shpërthimi i fuqishëm në një resort në plazhin e Velipojës, në kulmin e sezonit turistik është një këmbanë e madhe alarmi për të gjitha institucionet shteterore, pas ngjarjeve tragjike që kanë ndodhur në bregdetin shqiptar, për mungesën e sigurisë që ka në zonat turistike.

Redjon Shtylla

Vala e shpërthimit të fuqishëm, e flaku metra larg pronarin e resortit turistik “Fishta” në plazhin e Velipojës, ç’ka bëri që qindra pushues e banorë të përjetojnë çaste tmerri në pikun e sezonit turistik. 55-vjeçari Besnik Zenuni, pas ngjarjes u transportua menjëherë në Tiranë, ku gjendja shëndetësore është e rëndë. Nga zjarri i fuqishëm që përfshiu restoranin, të lënduar rëndë janë katër persona.

Swiss Digital Desktop Reklama

Besnik Zejnuni, pronari i biznesit dhe i biri i tij u transportuan me urgjencë me helikopeter në repartin e djegie-plasitikës në QSUT, rreth mesditës. Po ashtu edhe një kalimtar u godit shumë keq nga vala e shpërthimit. I gjithë vendi u përfshi nga kaosi. Njerëzit vrapuan t’i shpëtonin flakëve e në panik nga ndonjë shpërthim i dytë. Por kush është shkaktari i shpërthimit që mund të hidhte në erë pallatin pesë katësh? Inspektoriati Shtetëror Teknik Industrial-ISHTI, pas shpërthimit që shkaktoi panik tek turistët dhe banorët e pallatit, ka deklaruar se shkak për shpërthimin u bë një depozite gazi e fshehur në bodrumin e lokalit.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Në bodrumin e lokalit ka pasur një çisternë 1 mijë litërshe me gaz për përdorim në kuzhinë. Inspektorët u futën në ambientet e lokalit. Shpërthimi ndodhi nga rrjedhja e gazit të çisternës”, thotë Inspektoriati Teknik.

Zjarri rrezikoi edhe disa banesa aty pranë, por ndërhyrja e menjëhershme e shërbimit zjarrfikës, bëri të mundur neutralizimin e flakëve. Administratori i zonës të Velipojës, Salvador Kacaj tha se fatmirësisht ndërhyrja e shpejtë, parandaloi dëme edhe më të mëdha. Zona e shpërthimit është rrethuar, ndërsa prokuroria ka nisur hetimet për të zbuluar shkaqet dhe rrethanat e plota të ngjarjes. Dëshmitarët treguan se flaka doli nga kuzhina, ndërsa në lokal ndodheshin shumë pak persona.

Tre klientë sapo po largoheshin dhe fatmirësisht shpëtuan, ndërsa vala e flakës goditi një turiste 19-vjeçare që ndodhej aty pranë. Flaka sipas tyre u ngjit shumë lart, duke përfshirë të gjitha ballkonet dhe dritaret e pallatit 5 katesh. Shumë persona ndodheshin brenda dhe u lënduan nga flakët, ndërsa vetëm pas mbërritjes së policisë, ata u nxorrën jashtë. Pjesa më e madhe janë turistë nga Kosova, të cilët nga zjarri humbën edhe dokumentet personale.

“Sapo kemi dalë jashtë ka nisur shpërthimi. Në shpërthimin e dytë janë lënduar edhe njerëzit jashtë”, shprehet një turist nga Kosova. “Shpërthimi i parë u shoqërua edhe me dy tre shpërthime të tjera, ndërsa më pas shpërtheu një flakë e madhe”, thotë një tjetër pushues. Të lënduarit u dërgua në spitalin e Shkodrës, ndërsa dy pronarët, babë e bir u transportuan me helikopter për në Tiranë.

Flet mjeku: Gjendja e pacientëve është kritike

Ndërkohë, ndonëse fillimisht u dyshua për shumë të plagosur, bëhet fjalë edhe për 2 persona të tjerë të cilët janë dërguar në Spitalin Rajonal të Shkodrës nën kujdesin e mjekëve.Të lënduara nga flakët kanë mbetur edhe infermierja Vjollca Voci, e cila ka ndërhyrë për të dhënë ndihmë gjatë zjarrit, si dhe shtetësja Saida Spahia, të cilat ndodhen jashtë rrezikut për jetën. 55-vjeçari Zejnuni dhe djali i tij 33 vjeç kanë pësuar djegie pothuajse në të gjithë trupin dhe sipas mjekëve ndodhen në gjendje kritike për jëtëm. “Janë shtruar dy pacientë të djegur rëndë në gjithë sipërfaqen trupore si pasojë e shpërthimit në restorantin e tyre. Gjendja paraqitet kritike. Aktualisht jemi në momentet e para të vlerësimit të ekzaminimeve laboratorike, ndërsa vazhdon mjekimi i dy pacientëve. Siç thash gjendja mbetet kritike dhe konsiderohet prognoza e rezervuar për jetën”, ka deklaruar mjeku Gjergj Belba, shef i shërbimit të djegie-plastikës.

Depozita mund të “hidhte në erë” hotelin

Zjarri që shpërtheu dje në një lokal në Velipojë, ku u plagosën 20 persona, 4 prej të cilëve në gjendje të rëndë, ka nxjerrë në dritë një të vërtetë të frikshme. Flaka sipas dëshmitarëve u ngjit shumë lart, duke përfshirë të gjitha ballkonet dhe dritaret e pallatit 5 katesh. Shumë persona ndodheshin brenda dhe u lënduan nga flakët, ndërsa vetëm pas mbërritjes së policisë, ata u nxorrën jashtë. Inspektoriati Shtetëror Teknik dhe Industrial theksoi se zjarri nuk ka ardhur për shkak të ndonjë bombole gazi por si pasojë e rrjedhjes së një çisterne 1 mijë litroshe, që ishte vendosur në bodrumin e lokalit dhe përdorej për kuzhinën. Depozita prej 1 mijë litra gazi do të rrezikonte jo vetëm lokalin por edhe gjithë hotelin dhe zonën. ISHTI u shpreh se i kishte kontrolluar bombulat e gazit dhe se ato ishin në rregull, duke “harruar” ose lënë mënjanë këtë çisternë të madhe gazi në bodrumin e lokalit, e cila është e ndaluar për shkak të rrezikut që sjell.

Saida Spahija

Turistja kosovare e plagosur tregon ferrin

Saida Spahija është një prej persona që u plagos nga zjarri i rënë në Velipojë. 19-vjeçarja tregon momentet e tmerrit që ka përjetuar dhe se si ka gjetur një qoshe mes mureve për të shpëtuar nga flakët e zjarrit.”Në momentin kur ka ndodhur shpërthimi unë isha tek pista. Kur dëgjova shpërthimin u largova dhe shkova direkt tek piceria, nga pjesa e picerisë sepse mendova se dyert e picerisë ishin të hapur por në fakt më rezultuan të mbyllura. Në atë moment duke mos patur nga të shkoj tashmë gjeta një qoshe mes muresh dhe u futa aty. Në ato momente filloi të më bllokohej fryma dhe fillova të ndjej djegie në trup. Pas pak minutash ndjeva se flakët po bien dhe nuk e di nga kam ikur dhe nga kam dalë. Aty më kanë mbuluar me peshqir me ujë të ftohtë dhe më kanë sjellë më pas tek urgjenca e spitalit të Shkodrës. Tek qoshja ku u struka kam ndenjur për afro 10 minuta sepse s’kisha asnjë mundësi për të shkuar askund tjetër dhe ishte e vetmja mundësi për të shpëtuar”.

Rrëfimi

Banori: Të gjithë filmonin, nuk ndihmonin

Ngjarja e rëndë në Velipojë, la një shije të keqe nga vetë njerëzit. Ata me telefona në duar, sipas një dëshmitari, nuk dhanë ndihmën e parë por do bënin foto/video. Një nga banorët e një pallati pak metra larg vendit të ngjarjes tha se të gjithë njerëzit përreth ishin me telefona në dorë dhe askush nuk ofrohej për t’u dhënë ndihmë personave që mbetën të lënduar. I pyetur nga gazetarët nëse njerëzit ishin në panik, ai u shpreh se: “Normal. Por faktikisht të gjithë banorët ishin duke filmuar ngjarjen, nuk shkonte asnjë tek të plagosurit që të ndihmojë. Më tepër ishin me telefona në dorë sesa duke ndihmuar të dëmtuarin. Unë kam parë dy veta të dëmtuar, një që ishte shtrirë këtu përtokë, kam parë dhe një djalë të ri më tutje. Ai ishte në rregull, ishte i vetëdijshëm, merrte frymë krejt në rregull, me sy të hapur”.

Del ekspertiza

Çisterna e gazit ishte instaluar fshehurazi dhe pa kushte teknike

Inspektorë të ISHTI-t thonë se kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje sapo janë informuar për atë që ka ndodhur ne subjektin IL CAVALIERO me pronar Besnik Zejnuni, në plazhin e Velipojës. Pas verifikimeve nga inspektoret rezulton se subjekti ka të instaluar një depozitë (rez GLN) me volum 1000 litra nëntokesore (e mbuluar me rërë) jashtë të gjitha kushteve teknike (poshtë dyshemesë së lokalit dhe afër shkallëve) duke e bërë të pamundur shërbimet e nevojshme teknike apo zhvendosjen e saj në rast nevoje. Sipas ISHTI-t ky subjekt në kundershtim me detyrimet e ligjit asnjëherë nuk ka paraqitur kërkesë per regjistrimin e pajisjes, duke vënë në shfrytëzim një pajisje të jashtëligjshme. Pas verifikimit rezulton se shkaku i eksplozionit me pasojë rënien e zjarrit është rrjedhja e gazit në ambientet e brendshme të lokalit. Kjo ka ndodhur për shkak mosrespektimit të kushteve teknike të instalimit. ISHTI thotë se të gjithë operatorët ekonomik që shfrytëzojnë pajisje nën presion mbajnë përgjegjësi për sigurinë teknike të instalimit si dhe kanë detyrimin ligjor për paraqitjen pranë ISHTI, të dokumentacionit tekniko-ligjor për regjistrimin e pajisjes. ISHTI thotë se ndaj këtij rasti u mor masa përkatëse administrative sipas ligjit. Ndërkaq kryeinspektori i është drejtuar me një shkresë drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, me një shkresë zyrtare ku kërkon bashkëpunim për realizimin e detyrave të funksionarëve të ISHTI, sidomos për ato raste problematike.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?