
Transferimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nga IEVP Durrës në atë të Fierit, ka shkaktuar shqetësime edhe brenda Partisë Socialiste. I ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, avokati i tij, Plarent Ndreca, konfirmoi se deputetë socialistë i kanë kërkuar informacion për situatën e Veliajt.
Sipas tij, shqetësimi është shprehur edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, ku nuk ka vetëm deputeti Çuçi. “Më kanë telefonuar më shumë se 7-8 kolegë shumë të shqetësuar, në gjendje mërzie përse ndodh kjo gjë dhe përse shkohet në këtë pikë”, deklaroi Ndreca.
Ai theksoi se mbrojtja nuk kërkon privilegje për kryebashkiakun, por mundësinë që ai të ushtrojë detyrën. “Standardi është i njëjtë për çdo qytetar të Shqipërisë dhe nuk po kërkojmë privilegj për shkak të detyrës”, u shpreh avokati.
Ndreca ngriti gjithashtu shqetësimin për mungesën e informacionit zyrtar nga institucionet përgjegjëse. “Aktualisht jemi në terr të plotë informativ. Që dje në 4 të pasdites kam dërguar e-mail zyrtar dhe nuk kam ende asnjë përgjigje”, përfundoi ai.
