Transparenca fiskale, DASh lë në vend Shqipërinë: Minimale!

Shqipëria nuk ka bërë asnjë përmirësim në drejtim të transparencës fiskale në krahasim me vitin e kaluar.

Zyra e Ekonomisë dhe e Çështjeve të Sipërmarrjes në Departamentin e Shtetit publikoi raportin vjetor të vlerësimit të gjendjes së transparencës fiskale në botë.

Sipas këtij raporti, Shqipëria mbetet në vendnumëro në grupin e shteteve që plotësojnë kriteret minimale të transparencës fiskale.

Në këtë kategori përfshihet një gamë e madhe vendesh që nga shtete si Afganistani, Burkina Faso, Botsvana, Gambia, apo Hondurasi deri të vende si Greqia, Kroacia, Hungaria, Sllovenia, Serbia, Portugalia e Polonia.

Por në këtë kategori ndodhet edhe Kosova me Maqedoninë e Veriut.

Sipas metodologjisë së përdorur, me kritere minimale nënkuptohet plotësimi i dy kushteve. Së pari, që qeveritë hartojnë një dokument, apo ligj për buxhetin dhe e dokumentojnë atë duke përfshirë këtu si shpenzimet, ashtu edhe të ardhurat për çdo ministri.

Kriteri i dytë është publikimi i kontratave dhe licencave që kanë të bëjnë me nxjerrjen e burimeve natyrore, përfshirë këtu edhe ofertat dhe praktikat e dhënies me koncesion.

Departamenti i Shtetit thotë se nga 141 shtete që i janë nënshtruar procesit të vlerësimit të transparencës fiskale, 74 prej tyre plotësonin kriteret minimale. Nigeria dhe Gambia janë të vetmet vende që kanë bërë përparim, ndërsa 67 vende nuk plotësojnë as kërkesat minimale të transparencës fiskale.

Raporti i përvitshëm synon që të identifikojë progresin e qeverive në mbarë botën në pasqyrimet e dokumentacioneve që kanë të bëjnë me shpenzimet e taksave, si kontrata, apo licenca të dhëna përmes formave të ndryshme bashkëpunimi me privatët.

DASh vlerëson se transparenca fiskale është një element kritik për menaxhimin e financave publike, pasi informon qytetarët se si qeveritë e tyre i shpenzojnë paratë e mbledhura nga taksat.

“Transparenca u mundëson qytetarëve një dritare në buxhetin e Qeverisë dhe ndihmon qeveritë në procesin e llogaridhënies. Ndihmon në ndërtimin e një tregu të besueshëm e të qëndrueshëm”, thotë Departamenti i Shtetit.

Burimi: Gazeta Shqip

SHKARKO APP