Transplanti i veshkave, Manastirliu: Nuk ka më listë-pritje, kanë përfituar 90 qytetarë
Manueli Ferati nga periferia e Tiranës, ka kryer transplantin e veshkave falas, me financim 100% nga shteti dhe tani gëzon shëndet të plotë. 9-vjeçari ka lindur me një veshkë dhe që prej muajve të parë të jetës ka kaluar më shumë kohë në spitale. Dy muaj më parë ka kryer transplantin e veshkës, të cilën ia ka dhuruar i ati, ndërsa financimi i ndërhyrjes së kushtueshme është mbuluar 100% nga shteti.
I ati i Manuelit ka rrëfyer se “të dhurosh fëmijës veshkën e ke për fëmijën tënd dhe unë e kam bërë me gjithë zemër. Ndjehem shumë mirë, i lumtur. Kur ka lind fëmija ka qenë me një veshkë dhe vazhdonte me një veshkë. Edhe ajo ka qenë e dëmtuar dhe transplanti nuk bëhej këtu, por në Turqi, në shtetet e Europës. Ne nuk kishim mundësi por falë qeverisë bëhet edhe në Shqipëri, këto 4 vitet e fundit”. “Ka qenë shumë e vështirë sidomos momenti kur janë futur në sallë të dy, sepse u fut edhe burri edhe djali në operacion. Falenderoj pa masë ministrinë e Shëndetësisë”,-thotë e ema e Manuelit.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, teksa tha se fëmijët kanë fokus të veçantë, shtoi se bashkë me Manuelin këtë vit janë kryer 29 transplante. Nga ana tjetër, ajo tha se deri më tani nga transplanti falas kanë përfituar 90 qytetarë. ”Jemi shumë të gëzuar që këtë mundësi ja dhamë Manuelit. Për ne fëmijët janë të parët. Këtë vit janë 29 transplante që janë kryer përfshirë edhe Manuelin e vogël. Po rritet numri i transplanteve sepse vjet ka qenë 21 ndërsa në total janë më shumë se 90 qytetarë kanë përfituar. Jo vetëm kaq por do të përpiqemi që ta shtrijmë si procedurë edhe në sistemin publik përveçse sistemit jopublik që sot realizon këtë procedurë dhe ndërkohë financohet 100% nga shteti”.
Transplanti i veshkave është pjesë e paketave shëndetësore falas, të cilat financohen nga shteti në spitalet publike dhe jopublike. Që prej fillimit të kryerjes së transplantit falas 4 vite më parë, 90 pacientë kanë përfituar ndërhyrjen falas në sistemin jopublik, me financim 100% nga shteti.