TRE DITË PA ZI PËR ENVER HOXHËN?!

Nga Mitro Çela-
TRE DITË PA ZI PËR ENVER HOXHËN ?!
-11 prill 1985. Vdiq Enver Hoxha. –
Punoja gazetar në “ZP”.
Ora 10.
Gazetarët në zyrë të shefit.
Kryeredaktori, Arshin Xhezo, me shpinë, vështronte nga dritarja.
U kthye. I përlotur. I ngashëruar tha:
-Ka vdekur shoku Enver!
Sofo Lazri…Këshilltar i Ramiz Alisë. Solli një nekrologji. Duhej botuar në faqen e parë. Nekrologjia ishte e gjatë.
Pyetën Sofon. Ai shumë indiferent tha:
-Pa problem. Shkurtoni pesë-gjashtë paragrafe.
12 prill.
U botua gazeta. Në faqen e parë nekrologjia dhe një portret i shokut Enver.
Në faqen e dytë ishin vendosur tre kronika nga ndërmarrjet që mbanin emrin e Enver Hoxhes .
12 prill. Mesditë.
Takova Agim Popën. Kishte qënë për 4-5 vite kryeredaktor i “ZP”-së. Punonte këshilltar i Ramiz Alisë.
-Nuk po kuptoj se çfarë po ndodh,-më thotë Agimi.-Isha mbrëmë tek shtëpia e shokut Enver. Ishte vetëm shoqja Lenka Çuko dhe familjarët.
-Lexova gazetën. U befasova. Artikulli që përgatitëm në Komitetin Qëndror ishte sakatosur!
-Po qarkullon një ide. -Tha Agimi.-Shoku Ramiz kërkon të sillet me Enverin, si Nikita Hrushovi me Stalinin. (Hrushovi ishte Sekretar i parë në Bashkimin Sovjetik.)
Hrushovi shkroi raportin sekret për Byronë Politike. U dënua kulti i Stalinit dhe krimet e tij.
Raportin e Hrushovit e “rrëbeu” një agjent i Mosadit-Kundërzbulimi izraelit. E dërgoi në Amerikë.
E botoi së pari gazeta “New York Times”. Pastaj gjithë shtypi në botë.
Por unë nuk besoj, -më tha Agimi, -që Ramizi të imitojë Hrushovin.
13 prill. Mëngjes.
Gazeta vazhdonte të belbëzonte për vdekjen e Enverit.
Atë ditë kisha lënë takim me Hekuran Isain. Ministër i Brendshëm. Mbulonte edhe ekonominë në Byronë Politike.
Duke pirë kafe e pyeta:
-Do ta bëjmë intervistën?!
-Pse jo? Jeta vazhdon. Shoku Ramiz na porositi: Ta kthejmë dhimbjen në forcë!
14 prill. Ora 18.
U mblodh Byroja Politike.
Në skenë dolli shoqja Nexhmije. Me “shpatë” në dorë.
Kritika të ashpra për këtë situatë edhe nga të moshuarit e Byros Politike: Manush Myftiu, Rita Marko, Spiro Koleka, Adil Çarçani.
Pas debateve të ashpra u vendos:
1.
Në qëndër të Tiranës, në sheshin “
Skënderbej”, do ngrihej një monument: më i madhi në Ballkan.
2.
Do ndërtohej Piramida.
3.
Shoku Ramiz u zotua të bënte librin: “Enveri ynë“.
4.
U hodh direktiva:
Shoku Enver ka vetëm ditë lindje-16 tetor 1908-
5.
Do shpallen 6 muaj zi.
15 prill.
U dha komanda.Populli nisi të vajtojë. Si robot. Rreshti për pelegrinazh gjarpëronte nga sheshi “Skënderbej” tek selia e Komitetit Qëndror.
Në gazetë vinin çdo ditë poezi. Mbi 6 mijë.
Dritëro Agolli bëri një poemë. U botua në dy faqe të gazetës.
I thanë të bënte një poezi edhe Ismail Kadaresë.
-Nuk gjej frymëzim, -kishte thënë Kadareja?!
-Nuk ka faj,- tha kryeredaktori,-i ka zënë e mira sytë: 300 metra katror shtëpi;më shpesh shkon në Paris, se në Gjirokastër?!
Morali:
Shqipëria nuk e kishte një Nikita Hrushov!

SHKARKO APP