Tre premtimet e harruara të Dritan Lelit
Zona që në Vlorë njihet si fusha e Aviacionit, fakton tre premtime të pambajtura të kryebashkiakut Dritan Leli, në dy mandatet radhazi.
Në vitin 2015 në atë kohëkandidat, premtoi se do t’i jepte zgjidhje çështjes së grumbullimit dhe trajtimit të mbetjeve.
“Do të ndalojmë djegien e plehrave në bashkinë e Vlorës”, është shprehur Dritan Leli.
Por mbetjet kanë mbuluar zonën dhe djegia e tyre në ambient të hapur, në periferi të qytetit ende vazhdon.
Disa qindra familje kanë në dispozicon vetem 5 kontenierë.
“Duhen më shumë kontenierë dhe duhet të jenë më kapak sepse qentë dhe lopët, futen dhe i nxjerrin plehrat”, shprehen banorët.
Në vitin 2016, kur Dritan Leli ishte tashmë kryebashkiak i Vlorës, u premtua se një hapësirë prej afërsisht 3 km/2, do të kthej në një park kushtuar fëmijëve për sporte, laboratorë shkencorë.
“Fusha e fëmijëve që jetojnë këtu është kthyer në një grumbullim plehrash. Ti rregullojnë për fëmijët se ne ikëm po këta që janë filiz e re”, shprehen banorët.
Por fushat sot janë kullotë për bagëtitë, ku prania e tyre në një zonë vetëm 5 km nga zyra e Dritan Lelit, rrëzon një tjetër premtim.
“Afati i fundit që bashkia Vlorë, ju jep njerëzve që vazhdojnë të kenë kafshë në qytet është data 30 maj”, është shprehur Leli.
Banorët që jetojnë aty shprehen të zhgënjyer, pasi ndryshimet e premtuara mbetën vëtëm fjalë për fushatë.
“Pse qytet quhet këtu? Këtu është plot me bagëti dhe qen”, shprehen banorët.
Dhe pasi u mori votën, banorët e Vlorës, thonë se Dritan Leli nuk i pret më as në Bashki për të dëgjuar shqetësimet e tyre.
“Ne nuk na pranon njeri në bashki”, shprehen banorët.
/Ora News