Tregim nga Flutura Açka, shkruar me datë 13 prill 2020

Nga Flutura Açka-

Duke iu përgjigjur një ftese të Rigel Rizaj, një shkrimtari të ri të talentuar, por edhe një djali me shpirt të bukur, pa ditur se kujt t’ia përcjell ftesën për më tutje, po publikoj këtë tregim timin të shkruar sot. Kur të botohet ndonjëherë në ndonjë përmbledhje timen me tregime, mund të jetë ndryshe, por sot është siç është shkruar. Javë të mbarë, Miq!

LULET E NËNËS

Tregim

Kur doli jashtë, ishte thuajse mesditë. Edhe pse i nipi i ishte lutur se për gjithëçfarë do t’i duhej, ai do të kujdesej t’ia blinte e do t’ia linte te porta, sot kishte vendosur të dilte vetë. Çdo t’i bënin orët policore – të diktuara nga një sëmundje – të policëve të demokracisë, një të “burgosuri” të dikurshëm si ai prej policëve të diktaturës?
Jashtë porte, aty ku fillonte trotuari me dhé të ngjeshur para shtëpive të ulëta në radhë njëra pas tjetrës, niste edhe heshtja e vërtetë. Rrugica ngjante me një hon që lëshonte jehonën edhe të kuisjes më të lehtë, të një angullime fare të vogël, madje edhe të hapave të tij të ngadaltë. Tek njëra nga flegrat e hapura, një fqinja e tij po fshinte kërrusur pragun dhe shtrojën e çimentos para porte me atë çka kishte mbetur nga një fshesë e dikurshme.
Iu bë se githçka e kësaj dite kishte diçka të shkuar, mbase ngaqë qysh prej mëngjesi po jetonte me të shkuarën, edhe atë liridalje që i kishte dhënë vetes, kishte lidhje me të shkuarën. Ai ishte i helmuar nga e shkuara.
– Ku po shkon kështu?, – e pyet fqinja, mbase e habitur se si po guxonte të dilte në rrugë një i moshës së tij.
– Të blej kohë, – tha ai, dhe eci tutje.
“Të blej kohë!” Fqinja tundi kokën, o ngaqë nuk e dëgjoi mirë frazën, o nuk e kuptoi, ose e dëgjoi dhe e kuptoi dhe e përktheu si një marrëzi. Fundja, a nuk kishte thënë në mbrëme një si psikologe që karariste shpesh nëpër programet televizive, se njerëzit do të fillonin të flisnin me vete pas kësaj traume që po u ndodhte? Njeriu nuk “mund” të rrijë kaq gjatë mbyllur, por ne “duhet” të rrimë kaq gjatë mbyllur. Por ai, fqinji i saj, kishte ndenjur me vite mbyllur në burg, ndaj mbase këtë mbyllje të dytë nuk mund ta duronte dot. “Po nuk e pikasën”, psherëtiu me vete fqinja, ndërsa shpina e tjetrit ikte tutje, “mbase do të kthehet në shtëpi, ndryshe do të kthehet sërish te shtëpia pa qira”. E demokracisë. Ngaqë nuk bindet të rrijë në shtëpi. Njëherë, tek shëtiste të nipin me karrocë, ajo e kishte ndeshur burrin në rrugën e tyre, ai kishte ndalur hapat dhe ishte përkulur, ia kishte liruar hallkën e rripit që mbante të lidhur fëmijën. E kishte lënë të lirë. Ajo ishte çmeritur një çast, por e kishte lënë burrin ta shijonte atë çast, e dinte, ai nuk shihte dot njerëz të lidhur. Dhe vetëm kur ai ishte larguar, e kishte mbërthyer sërish hallkën e fëmijës, që mu atë çast kishte nisur të qante me të madhe, sepse me atë hallkë nuk i hidhte më të lira këmbët tutje.
Plaku vazhdoi rrugën dhe vetëm ca çaste më pas, dëgjoi brramin e derës së fqinjës, shulin pas porte, hapat e nxituara të gruas në oborr. Tani, më në fund, fqinja e tij ishte e sigurtë që virusi nuk kishte ku e gjente më, veç të fluturonte mbi hatllat e murit të shtëpisë së saj, të kacavirrej degëve të fiqve dhe të pëplasej në verandën mes saksive të pafund të luleboreve, shpatoreve, zambakëve, meneksheve, lulekumonave, lafshëgjelave, sardenëve e gjithfarë emrash që i kujtoheshin atij nga numeracioni i dikurshëm i së ëmës. Gruas së luleve. Edhe dorëzonja e mëmës ishte tharë, gjithçka ishte tharë në oborrin e tij, veç në lehet e kujtimeve të saj edhe lehet e luleve të së ëmës ishin përjetë të freskëta.
Ja, edhe pak dhe do të mbërrinte tek ajo e përpjetë e lehtë, ku niste ai rripth i vogël plot bar, që kishte krijuar atë lëndinëz, ku shkonte shpesh në fëmijëri për të rendur pas xixëllonjash. Do të merrte atje, nëse i gjente, lulet e nënës: lulekoprën, luleGentin, luledelen, aguliçen, lulekinën. Nëse nuk do t’i gjente, do të trokiste te fqinja e tij për ca petale menekshesh a trëndafilësh, a mbase ndonjë krizantemë që nuk e kishte trembur kjo luftë e çuditshme e shfaqur kësaj pramvere, që bashkë me polenin e luleve, barte edhe polenin pelin të sëmundjes së re, me të njëjtin kërcënim të murtajave të vjetra.
Eci nëpër lëndinë, i mblodhi lulet që kërkonte dhe mori tragën anës hijeve të mureve të shtëpive. Ca zëra bilbilësh që vinin nga oborret, u prenë dhe u përzien me zikamën e paprerë të një bilbili polici dhe ca hapave të nxituar. Dhe pak çaste, dhe pak çaste, dhe pak, dhe tek shtynte portën e tij, ndjeu se qeskëza me lulet e mbledhura po i dridhej në duar. Mbetën jashtë dielli dhe heshtja, dhe rojat që kërcënonin njëlloj si virusi.
Dikur, gjashtëdhjetë vjet e kusur më parë, po në atë oborr, e ëma ia ujdiste bukën e ngjyer me lulëza të oborrit ose me lule të egra të po atij livadhi, që dikur ishte një fushë e pafund. Edhe pjatën e bukur të darkës, ia ormiste me gjithfarë ngjyra petalesh. Ato ngjyra dikur e kishin mbajtur me dritë atyre viteve të gjata të burgut.
Deri në mbrëmje, do të kishte kohë të mjaftë t’i lante e t’i përgatiste ato lule fushe, pastaj të bënte pjatën e preferuar të së ëmës, dhe ashtu në vetminë e oborrit, ndërsa dielli fikej, me llullën e përjetshme ndezur, i pushtuar nga koha që sapo kishte blerë atë ditë, do ta këqyrte bukurinë e asaj pjate, do të kujtonte nënën dhe do të treste sytë në qiellin që errej…

13 prill 2020

Image may contain: flower and food

SHKARKO APP