Tregti me tritol për bukën e gojës, Lulëzim Mesi rrëfehet para gjykatës

Lulëzim Mesi pranoi në Gjykatën e Krimeve të Rënda tregtimin e lëndës së eksplozivit dhe detonatorëve, duke i zhveshur nga përgjegjësia e posedimit dhe shitjes të dy vëllezëve të  tij si dhe kunatin, të arrestuar tre ditë më parë nga policia. Para gjyqtarit Ardit Mustafaj, në seancën e sotme me dyer të mbyllura, Lulëzim Mesi pranoi akuzën, duke justifikuar tregtimin e tyre për shkak të gjendjes së keqe ekonomike. Ai pretendoi se ishte i papunë dhe për të fituar para kishte pranuar të siguronte 20 kilogramë tritol për personin që i kishte porositur, por që në fakt ishte agjent i infiltruar i policisë. Mesi odhi poshtë pretendimet e policisë, se sasia e lëndës plasëse në momentin e arrestimit, ishte htë 400 kg. Ai tha se policia i kishte gjetur vetëm 20 kg tritol, sasi që edhe Prokuroria e pranoi se i janë sekuestruar. Por sipas organit të akuzës, Lulzim Mesi do i siguronte agjentit të infiltruar të policisë 400 kg. Ndërkohë avokatët pretenduan se klienti i tyre është nxitur nga policia prandaj nuk ka pse mban përgjegjësi. Për këtë arsye ata kërkuan lirimin e tyre.  Por Prokuroria kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, kërkesë kjo që u pranua nga gjyqtari Mustafaj. Dy vëllezërit e  Lulëzimit, Nezir e Fatos Mesi dhe kunati i tyre Marjan Karaj, kundërshtuan akuzat e prokurorisë, duke pretenduar se janë arrestuar pa asnjë provë. Të katër këta persona u arrestuan pak ditë më parë në një operacion të drejtuar nga Prokuroria për Krime të Rënda, ku prej muajsh kishte angazhuar një agjent të policisë si blerës të lëndës plasëse. Policia sekuestroi përveç tritolit, afro 8 mijë kapsolla, 100 metër fitil zjarr përcjellës dhe 3 armë kallashnikov.

 

SHKARKO APP