Tregu i kriptomonedhave nën kontroll, drafti i ri sjell detyrime për raportim vjetor
Shqipëria po përgatitet të vendosë një kuadër të ri rregullator për tregun e kriptovalutave. Një projektligj i hedhur për konsultim publik nga Ministria e Financave parashikon që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve të ketë rolin kryesor në mbledhjen, përpunimin dhe shkëmbimin e të dhënave me autoritetet tatimore të vendeve të Bashkimit Evropian për transaksionet me kripto-asete.
Sipas draftit, platformat që ofrojnë shërbime me kriptovaluta do të kenë detyrimin të identifikojnë klientët e tyre dhe rezidencën e tyre tatimore. Përdoruesit do të duhet të deklarojnë të dhëna personale si emri, adresa, shteti i rezidencës, numri i identifikimit tatimor dhe data e lindjes. Për kompanitë do të verifikohen gjithashtu pronarët përfitues dhe personat që ushtrojnë kontroll mbi subjektin.
Ofruesit e shërbimeve të kripto-aseteve do të raportojnë pranë Tatimeve të gjitha veprimet kryesore financiare, përfshirë këmbimet mes kriptomonedhave dhe monedhave tradicionale, kalimet nga një kripto-aset në një tjetër, si dhe transferimet drejt ose nga kuletat digjitale të përdoruesve.
Raportimi do të përfshijë edhe të dhëna për vlerën totale të transaksioneve, numrin e njësive të blera apo shitura dhe lëvizjet drejt adresave digjitale që nuk lidhen me platforma të njohura financiare. Gjithashtu, do të deklarohen edhe pagesat me kripto për mallra apo shërbime, kur vlera e tyre kalon pragun prej 50 mijë dollarësh.
Sipas projektligjit, raportimet do të kryhen një herë në vit, deri më 30 qershor të vitit pasardhës, ndërsa platformat do të duhet të ruajnë dokumentacionin për të paktën shtatë vite.
Drafti parashikon masa edhe për përdoruesit që nuk japin informacionet e kërkuara, duke i lejuar platformat të kufizojnë kryerjen e transaksioneve pas njoftimeve përkatëse.
Operatorët e kripto-aseteve do të regjistrohen pranë Tatimeve dhe do të pajisen me NIPT, ndërsa mosrespektimi i detyrimeve do të shoqërohet me gjoba që variojnë nga qindra mijëra deri në 1 milion lekë.
Megjithëse ligji do të hyjë në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare, zbatimi praktik i tij do të nisë me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
KOHA JONË SONDAZH

