Tri emrat që përfliten pas ikjes së Artan Didit

 

Pesë ditë pas dorëheqjes së Artan Didit, pyetja kush do jetë zëvendësuesi i tij vijon të bëhet duke marrë përgjigje nga më të ndryshmet.

Brenda mjediseve policore, emri që lakohet më shumë është ai i Haki Çakos, njërit nga dy zv.drejtorët e përgjithshëm të policisë së shtetit, që është komanduar në vend të Didit pas dorëheqjes së tij në fund të marsit.

Megjithatë, vetë ministri Sajmir Tahiri i pyetur kush do jetë drejtori i ri i përgjithshëm i policisë së shtetit thotë “nuk kam asnjë emër në tavolinë”.

Nuk është e qartë nëse kjo përgjigje është një moskonfirmim i versionit të Çakos.

Ndërkohë, burime nga grupi parlamentar i PS-së bënë me dije për DITA-n se ka tashmë dy emra të tjerë që lakohen përveç Çakos.

Vetë ministri Tahiri ka shprehur pranë deputetëve të interesuar konsideratën e tij për drejtorin e policisë së Qarkut të Fierit, Ervin Hodaj.

Të njëjtat burime theksojnë se në këtë pikë ka patur disa replika të Tahirit me deputetë të mazhorancës në nivel jozyrtar për emrin e Hodajt.

Ka deputetë të cilët kanë shprehur mosaprovim për shkak të moshës së re të Hodajt dhe për shkak se një emërim i tillë do shtonte kritikat e shfaqura më herët për preferenca krahinore.

Z.Hodaj i datëlindjes 1976 është nga Tepelena.

Nuk ka munguar edhe ndonjë deputet që shtyhet më tej duke shfaqur paragjykime të hapura ndaj drejtorit të Policisë së Fierit me fjalët “ai vjen era naftë”.

Emri tjetër që mund të zërë vendin e Didit, në rast se komandimi i Çakos nuk kthehet në emërim definitiv, është ai i Ardian Çipës.

Ardian Çipa, drejtor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë është i datëlindjes 14.09.1976, me vendlindje Himarë.

Pavarësisht përmendjes së këtyre dy kandidatëve, shumica e burimeve të pyetura afër kupolës së policisë së shtetit thonë që shanset më të lartë për të zënë vendin e Didit i ka zv.drejtori Çako.

Nëse doni një profesionit me eksperiencë ai është Çako. Nëse doni një diplomat ai është Çipa – tha për DITA-n një ish-zyrtar i policisë së shtetit në kushte anonimati.

Z.Çako e favorizon edhe ligji.

Ligji thekson që drejtori i policisë së shtetit duhet të ketë qenë më parë zv.drejtor i policisë së shtetit ose drejtor qarku me gradën drejtues i parë.

Nga drejtorët aktualë të qarqeve vetëm drejtori i Elbasanit e plotëson këtë kusht dhe disa drejtorë të tjerë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

Shumë vëzhgues të procesit nënvizojnë rëndësinë e moshës për atë që do emërohet në këtë pozicion.

Zakonisht një nivel i tillë profesional në polici duhet të kërkojë një moshë të pjekur me eksperiencë të gjatë në fushën e rendit.

Vetë Didi në një komunikim me DITA thotë se nuk preferon të rikthehet në asnjë pozicion në Policinë e Shtetit.

Ai nuk pranon të komentojë zërat për marrëdhëniet e acaruara mes tij dhe ministrit.

Didi nuk përjashtoi largimin e tij drejt SHBA-ve, prej ku 18 muaj më parë erdhi për të marrë detyrën e vështirë me propozim të vetë ministrit Tahiri.

SHKARKO APP