Tritan Shehu rrëfen rastin e pacientit të intubuar te “Shefqet Ndroqi”: Mjekët e shpëtuan, kjo tregon se…

Ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu, rrëfen rastin e një pacienti me koronavirus te “Shefqet Ndroqi”, që ndonëse ka qenë në gjendje të rëndë, ia ka dalë të mposhtë virusin.

Teksa falënderon mjekët për shërbimin e ofruar ndaj këtij pacienti, Shehu shkruan se edhe të sëmurë rëndë me Covid-19 mund të shpëtohen, duke shtuar se kjo na çon në disa konkluzione të realizueshme për të shpëtuar shumë jetë njerëzish.

Mesazhi i Shehut:

Dhe të sëmurë rëndë me Covid mund të shpëtohen!
Së pari dëshiroj të përgëzoj mjekët e veçanërisht grupin e reanimatorëve të Spitalit “Shefqet Ndroqi” e drejtuesen e tyre Dr. Cani, për shpëtimin e jetës së të sëmurit me komplikacione e kondita tejet të renda A.D, mbas një lufte e periudhe të gjatë intubimi.

Në fakt ky nuk është suksesi i parë i tyre i tillë, megjithë kushtet strukturale, teknologjike e mbulimit me personelin e përshtatshem të atij reanimacioni shumë larg standardeve europiane; pikërisht në sajë të profesionalizmit e angazhimit njerëzor të atyre kolegëve, tablo që takohet shpesh edhe në repartin infektiv të QSUT.

Kjo na çon në disa konkluzione të realizueshme për të shpëtuar shumë jetë njerëzish dhe jo vetëm një ose dy:
—Domosdoshmëria e përdorimit në këtë përballjeve edhe të posteve më të mira të reanimacionit që kemi në QSUT, Spitalin e e Durrësit, Shkodrës, Vlorës etj, të cilat tashmë duhej të ishin rikonstruktuar për këtë gjë.

—Instalimi i reth 150 posteve të reja të gatshme reanimacioni në vend, gjë dhe kjo që duhej të ishte realizuar prej disa muajsh.
—Zgjerimi i shtretërve specialë kundër Covid në nivel vendi, sepse ato dy ambiente që janë deri tashmë nuk mund t’i përballojnë nevojat aktuale e as ato që probabilisht do të përballemi në muajt e ardhshshëm.

—Forcimi i mjekut të familjes për mjekimin ambulator të rimbursuar financiarisht të të semurëve dhe dhënien e alarmit për hospitalizim në kohë.
I semuri AD kishte disa ditë me probleme serioze në shtëpinë e tij, për të cilat nuk mund ta ndihmonte “sistemi 3D alo, alo”, gjë për të cilën ai u shtrua në spital me vonesë, edhe kjo prej impenjimit të kolegëve te Sanatoriumit, që duke “shkelur” disa rregulla absurde te “alo, alo”, kontribuan ne shpëtimin e një jete njerëzore.

Të gjitha këto mund të realizohen me impenjim, vullnet politik e vizion për të bërë të mundur që shifrat tona të vdekshmërisë t’u afrohen atyre të pranueshme për Europën edhe për rastet më të rënda Covid…por jo duke vazhduar vetëm me fasada në 3D.
PS. Foto nuk ka lidhje me rastin.

SHKARKO APP