Tritoli në banesën e Dacit, policia tregon porositësin
“Arrest me burg” ka dhënë Gjykata e Tiranës për 23-vjeçarin Vilson Brahja, autor i vendosjes së tritolit në banesën e Gazmir Dacit në Bathore. Daci po vuan dënimin për vrasjen në rrethana cilësuese të Valmir Kolaverit dhe plagosjen e të vëllait.
Ndërsa sot Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim Sajmir Kolaveri. Ndonëse Brahja nuk tregoi porositësin, burime thonë se i dyshuar për porositjen e shpërthimit të tritolit në 27 korrik në Bathore, është Sajmir Kolaveri.
Burimet sqarojnë se po kryhen të gjitha verifikimet, ndërkohë që pista kryesore është ajo e hakmarrjes, pasi Gazmir Daci është i dënuar me burg për vrasjen e Valmir Kolaverit dhe plagosjen e vëllait të tij, Robertit. Gjatë seancës Brahaj ka treguar alibinë e tij për ngjarjen, ku pranoi se porositësi është rreth 25-vjeç dhe se i kishte thënë se po kërkonte azil.
”Këtë vepër e bëra kur nuk e dija që këto familje janë në gjak. Më ka thënë ai që më pagoi do vendosësh tritol këtu tek kjo shtëpi. Është shtëpia ime dhe e dua për azil. Djalin që më pagoi është 24-25 vjeç, jeton në Bathore. Tritolin ma solli ai. Më tha vendose këtu. Është shtëpia ime kjo, do të paguaj 1500 euro. S’e dija e kujt ishte shtëpia. Të nesërmen e mora në telefon, lekët s’mi dha. I thashë më fute në gjak me të tjerët. Të nesërmen i doli telefoni i fikur. E kam bërë për hall z.gjyqtar. Unë jam banor në Kamëz shtëpia që e vura e në bathore. E mora vesh në lajme çfarë kisha bërë”.
KOHA JONË SONDAZH

