Tritoli për Tahirin, shpresa e hetuesve mbetet një kartë telefoni

 

Përveç këqyrjes së kamerave të sigurisë dhe vëzhgimit të lëvizjeve gjatë shpërthimit të tritolit mëngjesin e së martës në Tiranë, hetuesit janë përqendruar maksimalisht në një provë. Ai është telefoni celular i gjetur i lidhur me tritolin e pashpërthyer që u gjet në stacionin e autobusit të Unazës pranë zonës së “Vasil Shantos”.

Celulari dhe karta telefonike brenda tij janë një nga provat kryesore ku prokurorët janë përqendruar për identifikimin e autorëve të sulmeve. Në telefonin e lidhur me lëndën shpërthyese ka pasur edhe një thirrje të humbur që për fat të mirë nuk ka arritur të ndezë kapsollën. Dyshohet për një difekt të kapsollës ose përcjellësit të elektricitetit.

Nga të dhënat e para rezulton se kapsolla plasëse e montuar në dy kallëpet e tritolit është prodhim i vjetër rus, që mund të ketë qenë i magazinuar në depot e ushtrisë shqiptare ndërsa lënda plasëse është prodhim shqiptar.

Sipas burimeve mësohet se eksplozivi ishte paketuar me natriban dhe në të ishin montuar kapsollat shpërthyese si dhe celulari, i cili nuk kishte asnjë thirrje në momentin që bomba u gjet nga policia pas sinjalizimit të qytetarëve.

SHKARKO APP