Tritolvënia nga politika?

 

Tre atentatet me tritol ditën e hënë në Tiranë janë klasifikuar si akte të pastra terroriste.Objekt i sulmit të tyre ishte babai i ministrit të Brendshëm ose më saktë direkt ministri i Brendshëm, dhe një zyrtar i lartë i Policisë së Shtetit. Ndërsa sasia e tretë e eksplozivit u vendos në një zonë, ku mund të interpretohet si mesazh edhe për të afërmit e kryeministrit Edi Rama. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi në informacionet e para zyrtare që dha dje për shpërthimet, konfirmoi se tritoli në zonën e farmacisë së babait të ministrit të Brendshëm dhe ai në rrugën “Muhamet Gjollesha” janë vendosur nga i njëjti person. Një video e shpërndarë dje nga policia dhe që është marrë nga kamera e një biznesi privat, tregonte momentet e vendosjes së bombës në farmacinë e Bashkim Tahirit. Ndërsa fotot tregonin se i njëjti person me biçikletë ka vendosur edhe bombën në trotuarin e rrugës “Muhamet Gjollesha”, e cila fatmirësisht nuk shpërtheu. Thirrjet telefonike për aktivizimin e detonatorit të bombave janë bërë nga zona e Linzës në Dajt. Sipas të dhënave nga grupi i hetimit dyshohet se aktivizimi është bërë nga i njëjti person që shihet në video duke udhëtuar me biçikletë. Hetimet e prokurorëve kanë arritur të zbulojnë se kartat telefonike për dy shpërthimet janë blerë në një kompani të njohur të telefonisë celulare në vend në datat 31 janar dhe 2 shkurt, në zonën e Laprakës në Tiranë. Por emrat me të cilët figurojnë këto karta figurojnë të rreme dhe nuk i kanë çuar deri prokurorët në asnjë të dhënë që mund të ndihmojë në zbardhjen e hetimeve. Atentati ndaj shefit të policisë, Alfred Numani, është bërë me një mekanizëm më të thjeshtë, duke përdorur fitil zjarrpërcjellës. Për këtë ngjarje, policia ka të dhëna se kanë qenë tre persona që janë parë në afërsi të apartamentit dhe që kanë lëvizur me një makinë të bardhë “Mercedez Benz”. Hetimet për gjetjen e autorëve janë bazuar në kamerat e bizneseve private që kanë filmuar lëvizjen e autorëve në të tre rastet, si edhe në të dhënat që mund të japin kompanitë celulare për aktivizimin e numrave. Por hetimet për këto ngjarje kriminale nuk janë fokusuar tek autorët. Personi me biçikletë, apo tre të tjerët me makinë, janë zbatuesit e një urdhri që është dhënë për t’i bërë presion ministrit të Brendshëm. Prokuroria dhe policia janë fokusuar edhe në gjetjen e porositësve të atentateve.

Në morinë e deklaratave të bëra dje për këto hetime, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Artan Didi foli edhe për një pistë që pak është përmendur. “Hetimet tona janë orientuar jo vetëm drejt autorëve të mundshëm të këtyre akteve, por edhe për të zbuluar: Kush e armatos dorën kriminale që ngrihet kundër njerëzve apo familjarëve të atyre që luftojnë krimin? Kush e ushqen urrejtjen ndaj ligjit dhe institucioneve që e përfaqësojnë atë?”, – tha kreu i Policisë së Shtetit. Nënkuptimi ishte i qartë prejt tij, e kishte fjalën për PD e sidomos ish-kryeministrin Berisha. Nuk i shqiptoi asnjerin me emër, porse nënteksti ishte i qartë. Nuk dihet se si do të reagojë PD dhe ish-kryeministri Berisha, për të cilin duhet pohuar se mbetet lideri shpirteror i demokratëve dhe pa Saliun, ato,pra demokratët mbeten pa frymë, pa lider. Por shigjeta doli nga harku i numrit Një të Policisë së Shtetit!

 Ndërsa hetimet për autorët janë ende në proces intensiv, hetimet për personat që kanë siguruar lëndën plasëse mësohet se janë fokusuar në zonën e Krujës. Në fshatin Noje të Krujës, dy muaj më parë rezultoi se ishin vjedhur 2 mijë kallëpe tritoli nga depot e ushtrisë. Në të tre atentatet, lënda plasëse ishte tritol prodhim i uzinave ushtarake shqiptare. Prokuroria ka rihapur dhe një herë dosjen e kësaj vjedhje për të nxjerrë informacione, që mund të çojnë drejt personave që kanë furnizuar me tritol atentatorët e ditës së martë në Tiranë.

Rikthehemi përsëri tek ajo çka përmendi dje kreu i Policisë së Shtetit.Diti tha se po hetojmë: “Kush e ushqen urrejtjen ndaj ligjit dhe institucioneve që e përfaqësojnë atë?” Nëse ka një ministër që është sulmuar më shumë nga opozita, pas kryeministrit, ai është Saimir Tahiri. Nuk ka deklaratë të ish-kryeministrit Sali Berisha, Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Arben Ristani dhe ish-ministrave të brendshëm të PD-së, ku të mos akuzohet ministri aktual i Brendshëm. Vetëm pak orë pas ndodhjes së atentatit ndaj të afërmeve të familjes Tahiri, kreu i grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka tha se “atentati ishte si pasojë e shoqërimit të ministrit Tahiri me njerëz të botës së krimit”. Ndërsa dje ish-kryeministri shprehej se “mafia është njëlloj me qeverinë dhe ministrit i çuan tritol me zarf, si paralajmërim”. Duke atakuar personin Saimir Tahiri, opozita ka sulmuar ministrin e Brendshëm dhe këto mesazhe politike duket se e kanë bërë edhe më të guximshëm krimin për të kërcënuar direkt ministrin e Brendshëm.

 A kanë suport politik këto sulme? Përgjigje që pret më saktë hetimin dhe zbardhjen e autorëve nga Policia dhe Prokuroria. Më pas, nëse kapen, do bëhet një “biografi” e tyre!

Qamil  Xhani

SHKARKO APP