Tronditëse! Me qindra azilkërkues shqiptarë dëbohen nga Franca, në alarm Gjermania (Foto)

Azilkërkuesit shqiptarë po bëjnë jehonë dhe po shqetësojnë vendet më të zhvilluara të Europës, Gjermaninë dhe Francën, dhe janë mesazh i qartë për politikën shqiptare që nuk arrin dot ose nuk dëshiron të shpjegojë se përse shqiptarët duan gjithnjë e më tepër të largohen nga ky vend. Debatet boshe të politikanëve në ambjentet e parlamentit, apo jashtë dyerve të kuvendit, se cili deputet apo ministër i njërit apo kampit tjetër ka grabitur më tepër nga paratë publike dhe cili është pak më i ndershëm, nuk është gjë tjetër veçse një mesazh i qartë për shqiptarët që enden rrugëve të Europës apo të vendit të tyre, për të mos i besuar më kësaj klase politike, përgjegjëse për situatën e rëndë. Në 24 vjet, pas rënies së komunizmit, të njëjtit njerëz, një klasë e caktuar jo më tepër se 5 apo 10 për qind e popullsisë, e përzgjedhur brutalisht pa asnjë kriter nga kjo politikë, prodhon “poste” dhe vende pune vetëm për ata dhe të afërmit e tyre, ndërkohë që me qindra shqiptarë pasi janë endur  për dy vjet rrugëve të Francës, dëbohen sot për t’u kthyer pa asnjë shpresë, në Shqipëri.

Po ashtu në raportin e fundit të autoriteteve gjermane, Kosova është vendi i parë i azilkërkuesve ndërsa pas vjen Siria dhe në vend të tretë Shqipëria. Një situatë dramatike që vendet e të njëjtit komb, ndodhen mes Sirisë së përfshirë në luftë,  prandaj i shkon për shtat vargjeve të pavdekshme, “E moj Shqipni e mjera Shqipni, kush të ka qitë me krye në hi!….”            

Francë, dëbohen 200 azilkërkues, shumica shqiptarë

Dëbohen mbi 200 persona, kryesisht shqiptarë, mes tyre edhe 80 fëmijë, nga Franca. Shqiptarët ishin strehuar në një ndërtesë ushtarake në qytetin e Lionit të Francës, që prej vitit 2013. Gazeta franceze “Le Monde” shkruan se këtyre personave iu ishte refuzuar e drejta për azil dhe se mes ish-azilkërkuesve që gjendeshin në këtë objekt ushtarak kishte edhe persona, të cilët kanë marrë urdhër që të lënë territorin francez.  Sipas Michel Jouart, një aktivist francez, refugjatët shqiptarë dhe kosovarë qëndruan për disa vjet në Lion, madje disa prej tyre, më parë ishin strehuar poshtë një ure. Sipas tij, tek ky kamp kishte strehuar mbi 500 persona. Ky vendim për dëbimin e shqiptarëve erdhe në prag të shqyrtimit nga ana e Senatit francez të reformës së ligjit për azil, i cili synon të forcojë masat mbrojtëse për aplikantët dhe të reduktojë aplikimet për azil.

Ndërkaq, edhe ministria e Brendshme e Gjermanisë publikoi një raport për kërkesat e azilkërkuesve, ku Shqipëria renditej e 3 nga 10 vende, ndërsa Kosova renditej e para me numrin më të madh të azilkërkuesve.

Shqipëri, në 72 orë refuzohet udhëtimi i 720 shettasve

Por shqetësimi i azilkërkuesve në 72 orë ka detyruar Policinë e Shtetit të refuzojë të drejtën e udhëtimit në zonën Shengen të rreth 750 shtetasve shqiptarë në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë, të cilët rezultuan në shkelje të procedurave për udhëtim në zonën Shengen. Përmes një deklarate për shtyp Policia e Shtetit informon se ka shtuar masat e kontrollit në pikat kufitare, me qëllim garantimin e lëvizjes së lirë të shtetasve dhe përmbushjen e detyrimeve ndaj partnerëve ndërkombëtarë.  -“Ministria e Punëve të Brendshme fton edhe një herë qytetarët të respektojnë rregullat e lëvizjes në zonën Shengen, duke udhëtuar me dokumentacionin e rregullt dhe duke respektuar ditët e qëndrimit,“ thuhet në njoftimin e shpërndarë sot nga kjo ministri duke rikujtuar se është absolutisht e pamundur që shtetasit shqiptar, të fitojnë azil politik në vendet e BE-së.

Gjermania: Azilkërkuesit? Kryeson Kosova, e treta Shqipëria pas Srisisë

Ministria e Brendshme e Gjermanisë publikoi një raport në lidhje me numrin e azilkërkuesve në këtë shtet për 3 muajt e parë të vitit 2015. Në këtë raport Shqipëria renditet në vendin e tretë nga 10 vendet e listuara, ndërsa lista kryesohet nga Kosova. Numri i azilkërkuesve shqiptarë ka ardhur duke u rritur që nga muaji janar deri në muajin mars dhe është 6-fishuar duke e krahasuar me të njëjtën periudhe të një viti më parë. Në janari numri i azilkërkuesve shqiptarë ka qenë 1648, në muajin shkurt 1794 dhe në muajin mars 3020. Ndërsa në vendin e parë me numrin më të madh të azil-kërkuesve rendit Kosova, numri i të cilëve nga muaji janar deri në muajin mars, pothuajse është katërfishuar. Në janar numri i azilkërkuesve kosovarë ka qenë 3630, në muajin shkurt 7728 dhe në muajin mars 11729 persona. Ndërsa në vendin e dytë renditet Siria, ku në janari pari 5530 kërkesa për azil, në muajin shkurt 4237, dhe në muajin mars 4620. Sipas Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë në muajin mars, gjithsej ka pasur 32054 aplikime në Zyrën Federale për Migracion dhe Refugjatë. Nga këta 6.277 njerëz morën statusin e refugjatit sipas Konventës së Gjenevës për Refugjatë.

SHKARKO APP