Trump dhe Putin do të takohen në Alaska për të diskutuar mbi të ardhmen e luftës në Ukrainë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të takohen javën e ardhshme në Alaska për të diskutuar mbi të ardhmen e luftës në Ukrainë. Takimi është planifikuar të mbahet më 15 gusht dhe u njoftua fillimisht nga Trump në rrjetet sociale, ndërsa më pas u konfirmua edhe nga Kremlini, i cili e cilësoi vendndodhjen “mjaft logjike” për shkak të afërsisë gjeografike të Alaskës me Rusinë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se çdo zgjidhje duhet të përfshijë Ukrainën, duke theksuar gatishmërinë për të bashkëpunuar me të gjithë partnerët për një “paqë të qëndrueshme”.
Njoftimi për takimin erdhi vetëm disa orë pasi Trump sugjeroi se Ukraina mund të detyrohet të lëshojë territor për t’i dhënë fund luftës, e cila nisi me pushtimin e plotë rus në shkurt 2022. “Bëhet fjalë për territore për të cilat është luftuar për tre vjet e gjysmë, ku kanë humbur jetën shumë rusë dhe shumë ukrainas. Është e ndërlikuar. Do të ketë marrje e kthime territoresh, në dobi të të dyja palëve,” tha ai nga Shtëpia e Bardhë, pa dhënë detaje të tjera.
Sipas burimeve të CBS News, administrata amerikane po përpiqet të bindë liderët europianë për një marrëveshje që do t’i jepte Rusisë të gjithë rajonin e Donbasit dhe do të mbanin Krimenë, ndërsa do të hiqte dorë nga rajonet Kherson dhe Zaporizhzhia, të cilat i kontrollon pjesërisht.
Wall Street Journal raportoi se Putin ka propozuar një marrëveshje të ngjashme për të dërguarin e Trump, Steve Witkoff, gjatë një takimi të fundit në Moskë. Ende nuk është e qartë nëse Ukraina dhe aleatët europianë do ta pranonin një zgjidhje të tillë, pasi Zelensky dhe Putin mbeten shumë larg në kushtet e paqes. Zelensky ka refuzuar më herët çdo kusht që parashikon lëshime territoriale, duke e cilësuar këtë si shkelje të Kushtetutës së Ukrainës.
“Çdo zgjidhje pa Ukrainën është njëkohësisht zgjidhje kundër paqes,” deklaroi ai në Telegram, duke shtuar se është i gatshëm të punojë me Trump dhe të gjithë partnerët për një paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme.
Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha për CBS se planet për takimin e javës së ardhshme mbeten të lëvizshme dhe se ka ende mundësi që Zelensky të marrë pjesë në ndonjë formë. Aktualisht, Rusia mban të pushtuar rreth 20% të territorit ukrainas, ndërsa ofensivat e Ukrainës nuk kanë arritur të shtyjnë forcat ruse mbrapa.
Burimi i lajmit: https://www.bbc.com/news/articles/c1dxed639n7o
KOHA JONË SONDAZH

