Trump-i Francës mëqenëse del proDanimarkës, propozon doganë 200% për verën franceze
Donald Trump ka paralajmëruar për vendosjen e tarifave të larta mbi verën dhe shampanjën franceze, ndërsa po ushtron presion ndaj presidentit francez Emmanuel Macron për t’u bashkuar me “Bordin e Paqes”.
Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar se do të vendosë një tarifë 200% për verërat dhe shampanjat franceze, pas lajmit se presidenti francez Emmanuel Macron ka refuzuar t’i bashkohet iniciativës së tij për krijimin e “Bordi të Paqes”.
Trumpi e ka lidhur drejtpërdrejt kërcënimin e tarifave me refuzimin e dukshëm të Macron-it për të marrë pjesë në këtë organ, të cilin presidenti amerikan e ka paraqitur si forum për zgjidhjen e konflikteve globale.
Sipas planit, anëtarët për një kohë të gjatë duhet të kontribuojnë secili me 1 miliard dollarë (rreth 857.170.000 euro) në një fond të mbikqyrur nga Trump si kryetar.
Çfarë ka thënë Trump-i për tarifat doganore të verës?
Kur u pyet për vendimin e Macronit për të mos iu bashkuar bordit, Trump e kundërshtoi qëndrimin e presidentit francez.
“Kështu ka thënë? Epo, askush nuk e do, sepse ai do të largohet nga detyra shumë shpejt,” tha Trumpi.
“Do të vendos një tarifë 200% për verërat dhe shampanjat e tij, dhe ai do t’i bashkohet, por nuk është i detyruar,” shtoi Trumpi.
Një burim i afërt me Macron-in i tha agjencisë së lajmeve AFP të hënënse Franca “nuk ka ndërmend të përgjigjet pozitivisht” ndaj ftesës. AFP gjithashtu citoi të martën një burim të afërt me presidentin francez, i cili tha se kërcënimi me tarifa “për të ndikuar politikën tonë të jashtme” ishte “i papranueshëm dhe joefikas”.
Deri tani, rreth 60 udhëheqës shtetesh janë ftuar të bashkohen.
Cili është plani i Bordit të Paqes?
Trump-i e propozoi për herë të parë krijimin e Bordit të Paqes në shtatorin e kaluar, kur paraqiti planet për të përfunduar luftën në Gaza. Ftesat e dërguara udhëheqësve botërorë javën e kaluar përshkruanin një mandat më të gjerë për të trajtuar konfliktet në mbarë botën.
Sipas një projekt-statuti të parë nga Reuters, administrata amerikane ka kërkuar nga anëtarët e mundshëm të kontribuojnë me 1 miliard dollarë nëse duan që anëtarësia e tyre të zgjasë më shumë se tre vjet.
Qeveri të tjera kanë reaguar me kujdes ndaj propozimit, ndërsa diplomatët paralajmërojnë se iniciativa mund të dobësojë rolin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në zgjidhjen e konflikteve.
Trump gjithashtu tha të hënën se kishte ftuar Vladimir Putinin të bashkohej me bordin, duke shtuar se lideri rus tashmë kishte marrë një ftesë.
Ndërkohë, u raportua se Macron-i i kishte dërguar një mesazh privat Trump-it duke ofruar të presë një samit të G7-së në Paris të enjten, ku mund të ftohej të merrte pjesë paralelisht Rusia. Macron gjithashtu propozoi të ftojë Ukrainën, si Danimarkën, si përgjigje ndaj kërcënimit të presidentit amerikan për të vënë nën kontroll Groenlandën./DW/
KOHA JONË SONDAZH

