Trump-Putin, beteja për vendin e takimit

Nga Elton METAJ

Donald J. Trump dhe Vladimir Putin do të takohen, me shumë gjasë, gjatë javës së ardhshme, në përpjekje për t’i dhënë një zhvillim të rëndësishëm një ndër krizave më të vështira të pasluftës së Dytë Botërore. Presidenti amerikan ka shprehur publikisht dëshirën dhe kërkesën për ndalimin e luftimeve në Ukrainë, ndërsa Presidenti rus është kujdesur të nënvizojë se ka pranuar ftesën amerikane për bisedime.
Teksa Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini i kanë konfirmuar gatishmërinë dhe përgatitjet për takimin Trump-Putin, mbetet i papërcaktuar vendi që do të kthehet për një ditë të vetme në qendrën e botës. Një qytet a vend që mund të hyjë në historinë botërore, nëse dy politikanët e fortë nga Uashingtoni dhe Moska do ta mbyllin takimin me një marrëveshje.
Për të siguruar selinë e takimit të shumëpritur nga bota mbarë, gara dhe ethet e saj duket se janë po aq të forta, sa vetë brendia e bisedës që Trump dhe Putin do të zhvillojnë me ndihmën e përkthyesve. Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite apo ndonjë vend tjetër i botës arabe, mbeten deri tani më të kuotuarat. Europa e vjetër, me kandidaturat e saj të zakonta si Vjena, Gjeneva e Helsinki, e ka humbur mundësinë për shkak, jo vetëm të rreshtimit pro-Ukrainës, por edhe të financimit të luftës së Kievit. Azia e Largët, me Singaporin e vende të tjera, duket e painteresuar se çfarë ndodh në lindje të Europës.
Alternativa I – Turqia ka mbajtur gjatë më tepër se 3 viteve të luftës primatin e negociatave ruso-ukrainase. Angazhimi i diplomacisë turke për ndërmjetësim ka qenë maksimal dhe në këto bisedime janë arritur jo pak rezultate për shkëmbimin e të burgorsuve dhe zhvillime të tjera të luftës. Me Stambollin si pikëlidhjeje mes kontinenteve e kulturave dhe pikëkalimi drejt Detit të Zi dhe zonave të luftës, Turqia e Erdoganit do ta mirëpriste me zell shtrëngimin e duarve Trump-Putin. Çfarë e ndikon negativisht zgjedhjen e ngushticës së Bosforit si vendtakimi, duket se është qenia e Ankarasë një anëtar i #NATO-s. Për strategët e Kremlinit do të ishte vështirë e pranueshme të pozonin buzëqeshur, me një marrëveshje të mundshme armëpushimi, në vendin e njërës prej ushtrive më të forta të Aleancës Transatlantike, që mbetet në qendër të pretendimeve e justifikimeve ruse për nisjen e luftës në Ukrainë.
Alternativa II – Emiratet e Bashkuara Arabe janë përmendur nga vetë Presidenti rus si një mundësi e mirë për pritjen e takimit me #Trump. “Kemi shumë miq që janë të gatshëm të na ndihmojnë të organizojmë këto lloj ngjarjesh. Njëri prej tyre është presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe. Mendoj se do të vendosim, por ky do të ishte një nga vendet e përshtatshme”, u tha Vladimir Putin gazetarëve në Kremlin, së bashku me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed al Nahyan. Emiratet e pasura, me Abu-Dabin dhe Dubain si mundësi, mbeten në avantazh edhe për shkak të marrëdhënieve shumë të mira me SHBA dhe vetë #Trump. Vendi në Gjirin Persik ishte ndër të parët e vizituar nga shefi i Shtëpisë së Bardhë në nisje të mandatit presidencial.
Alternativa III – Arabia Saudite dhe ndonjë vend tjetër i botës arabe, në marrëdhënie të mira, si me Uashingtonin, edhe me Moskën, mund të shfrytëzohet gjithashtu si “shtëpi pritjeje” për liderët e fuqishëm të botës. Përgjithësisht të barazlarguara nga krizat e mëdha jashtë rajonit të tyre, pa probleme sigurie për ngjarje të mëdha diplomatike, vendet e Gjirit ofrojnë komoditetin e nevojshëm për negociata të vështira.
Megjithatë, sado i komplikuar të duket caktimi i një vendi takimi për ngjarje të një peshe tejet madhore, ai që mbetet më i rëndësishëm është vullneti për të biseduar. Kalimi i zgjidhjes nga fushëbeteja në fushën e negociimit do të jetë fitorja e parë drejt shuarjes së luftës. Më tej, #Trump dhe #Putin do të kenë peshën historike për një marrëveshje që ndikon globin.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?