Trupa turke me “Medea” çel siparin e edicionit të 28-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Skampa”

Elbasani çeli siparin e edicionit të 28-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Skampa”, një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore të qytetit, që prej 28 vitesh sjell në skenën elbasanase artistë dhe trupa teatrore nga Shqipëria dhe bota.

Festivali nisi me “Medea”, kryeveprën e Euripidit, e sjellë në skenën e Teatrit “Skampa” nga Teatri Shtetëror i Izmirit, Turqi, nën regjinë e Adonis Filipit.

Përmes një konceptimi të fuqishëm regjisorial dhe një interpretimi të ngjeshur emocional, “Medea” sjell në skenë historinë e një gruaje të tradhtuar, pasioni dhe dhimbja e së cilës shndërrohen në hakmarrje. Lëvizja, ritmi dhe imazhet skenike ndërthuren në një shfaqje që prej gjashtë vitesh vijon të jetë pjesë e repertorit të teatrit turk.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në rolin e Medeas interpreton aktorja Asli Kilian, duke sjellë një personazh të fuqishëm dhe kompleks, në një nga veprat më të njohura të dramaturgjisë botërore.

Swiss Digital Mobile Reklama

28 vite “Skampa”

Prej 28 vitesh, Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Skampa” është kthyer në një traditë të rëndësishme të jetës kulturore të Elbasanit, duke e vendosur qytetin në vëmendjen e skenës teatrore shqiptare dhe ndërkombëtare.

Edicioni i këtij viti zhvillohet nën moton “Të jesh / To Be”, një mesazh që lidhet me praninë, bashkëjetesën dhe forcën e artit për të bashkuar njerëzit përtej kufijve.

Në ditët e festivalit, Elbasani do të mirëpresë trupa teatrore nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Italia, Tunizia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Moldavia dhe Turqia, të cilat do të sjellin në skenën e Teatrit “Skampa” 10 shfaqje, krahas një programi të pasur me performanca, punëtori, ekspozita dhe promovime librash.

Një vëmendje e veçantë në këtë edicion i kushtohet edhe artistëve të rinj dhe talenteve të reja, si përfaqësues të së ardhmes së skenës teatrore.

Në urimin e tij për nisjen e festivalit, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, vlerësoi traditën 28-vjeçare të “Skampës” dhe rolin e tij në jetën kulturore të qytetit.

“Prej 28 vitesh, Festivali Ndërkombëtar i Teatrit ‘Skampa’ është një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të Elbasanit dhe një traditë që vazhdon të na bashkojë përmes artit”, u shpreh Llatja.

Kryebashkiaku theksoi se Elbasani ka qenë dhe mbetet një qytet që e do teatrin, vlerëson artistin dhe e pret me dashuri skenën dhe kulturën.Llatja uroi artistët shqiptarë dhe të huaj për një qëndrim të bukur në Elbasan, ndërsa qytetarëve u uroi net të bukura teatri.

Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Skampa” do të vijojë deri më 5 tetor, duke e kthyer Elbasanin edhe këtë vit në një pikë takimi për artistët, kulturën dhe publikun e teatrit.

Arti nuk njeh kufij.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?