Tsipras: “Jemi në prag falimenti”

 

Kryeministri grek Aleksis Tsipras i ka shkruar një letër kancelares gjermane merkel përpara takimit të tyre të hënën ku ai pranon atë që qeveritarët grekë nuk e pranojnë publikisht, faktin se pa një ndihmë të shpejtë nga "institucionet" vendi i tij është në prag të falimentimit. "Nëse eurozona nuk do t’i japë në periudhën afatshkurtër asistencën financiare Greqisë, Athina do ta ketë të pamundur t’i respektojë detyrimet e saj për sa i takon borxhit, përfshi edhe pagesën e pagave dhe pensioneve". Kështu ka shkruar Tsipras, në një letër që i ka dërguar kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe e cila është zbuluar nga Financial Times. Letra, shkruan Financial Times, është e datës 15 mars, pra përpara se Kancelarja gjermane të pranonte të takohej me Tsipras në kuadër të mbledhjes se krerëve të BE-së të enjten e kaluar, ku e ftoi kryeministrin grek në Berlin për një takim kokë më kokë, që ishte në program dje në mbrëmje. Në letër, gjithnjë sipas asaj që shkruante “FT”, Tsipras denonconte faktin që qeveria e tij detyrohet të zgjedhë ndërmjet shlyerjes së borxhit, mbi të gjitha karshi FMN-së, ose të vazhdojë të lëvrojë shpenzimet sociale. Dhe për këtë fajësonte kufijtë e vendosur nga Banka Qëndrore Evropiane (BQE-ja) për aftësinë e Greqisë për të emetuar tituj borxhi afatshkurtër, si dhe autoriteteve të eurozonës që kanë refuzuar të japin çfarëdolloj ndihme përpara se Greqia të vërë në zbatim një paketë të re reformash ekonomike. Fjalët e Kryeministrit grek konfirmonin se ekziston rreziku që përpara fundit të muajit prill Athina të gjendet me arkat tërësisht bosh.

 

“Duke qenë se Greqia nuk ka akses në tregjet financiare dhe në kuadër të skadencave në frontin e borxhit në pranverë dhe verë, – shkruante Kryeministri grek, – duhet të jetë e qartë se shtrëngimet e BQE-së, së bashku me vonesën për lëvrimin e ndihmave, do ta bëjnë të pamundur për çdo qeveri greke që t’i shlyejë borxhet e saj”. Sepse, shpjegonte ai, nëse Athina do t’i shlyejë pa marrë asnjë ndihmë financiare, “kjo do të sillte një përkeqësim të rëndë të ekonomisë sociale greke, e cila është gjithsesi në depresion. Unë nuk mund ta lejoj të ndodhë një gjë të tillë”.

SHKARKO APP