Turistët, të interesuar për kulturën, arkeologjinë dhe natyrën shqiptare
Ndonëse termometri tregon temperatura të larta që e bëjnë bregdetin joshës, turistët e huaj po zgjedhin të eksplorojnë monumentet arkeologjike dhe qytetin e Durrësit më shumë se të kalojnë kohën në plazhet e tij.
“E dua Shqipërinë. Një vend i bukur dhe i bekuar. Nuk ka rëndësi që është kaq nxehtë. Kultura, ushqimi, njerëzit janë fantastikë. Jam vërtet e interesuar pas këtyre dhe historisë për të kuptuar origjinën e vendit dhe të tashmen e tij.”
Ndërkaq, ky turist italian shpreh keqardhje me faktin që gjatë regjimit komunist mbi Banjat Romake, një trashëgimi kaq domethënëse e antikitetit tonë, është ndërtuar një objekt, qendra kulturore e Durrësit.
“Shumë keq. Si mund të ndërtosh një godinë të tillë mbi një bukuri kaq antike që është dhe e rrethuar e nuk mund ta shohim plotësisht?! Këto janë pasuri dhe duhen mbrojtur”, tha turisti italian.
Amfiteatri antik, Torra Veneciane dhe Muret Mesjetare, Forumi Bizantin dhe Banjat Romake, por edhe lagjet e vjetra në qendër të qytetit janë ndër objektet më të vizituara që mbajnë gjallë kureshtjen e turistëve për qytetin që ka ditur t’i rezistojë kohës dhe të hapë dyert e mikpritjes për këdo që e viziton atë.
Top Channel