Turizmi – Gjergj Luca u bie në kokë abuzuesve me çmimet: “Nuk janë gopsha, por grabitës!”
Nga Albert Vataj
Gjergj Luca nuk flet me shifra të thata, nuk e shet veten për ndonjë “ekspert” që mat plazhin me metra katrorë rëre dhe statistika turistësh në Excel. Jo. Ai e nis nga Mar Bella, me një udhëtim ballafaqimi që shpon deri në palcë krahasimin midis asaj që ofron turizmi i vendeve fqinje dhe çfarë përtypim ne këtu, në vendin ku bregdeti është dhuratë e Perëndisë, por shërbimi – mall i falsifikuar.
Nuk është ministër, nuk është drejtor, nuk është inspektor i mbrojtjes së konsumatorit. Është qytetar i thjeshtë, por me një nerv të trashë që i ndizet kur sheh padrejtësinë. Është atdhetar i pakompensuar, i cili nuk e duron dot që ky vend i bekuar nga natyra, me klimë të artë e det të kristaltë, të përdhunohet çdo verë nga babëzia e atyre që e shohin turistin si “gopsha” për t’u rrjepur.
Sepse këtu nuk ka të bëjë me turizëm, por me një sport kombëtar: si t’ia bosh xhepin klientit para se t’i thahet trupi nga peshqiri. Është një talent i shfrenuar, ku mjeshtëria e menusë nuk është gatimi, por sa shpejt mund të të ngjitet syri te rreshti i fundit i faturës, që të merr frymën më shumë se vapëja e gushtit.
Luca, me zell të pashtershëm, nuk del vetëm për të treguar pamje të bukura, por për të dokumentuar me video realitetin e hidhur. Ai është si një arkeolog i moralit të humbur, që gërmon për të gjetur jo relike, por shembuj shërbimi të ndershëm, për t’ua treguar këtyre “sipërmarrësve” se turizmi nuk është vjedhje me kasë fiskale, por investim në besim dhe respekt.
“Më shani, më kërcënoni, më ofendoni… por këshillat m’i dëgjoni!” – thotë ai. Dhe këshillat e tij nuk dalin nga një manual, por nga barku i një njeriu që nuk e përtyp dot neverinë e zhvatjes. Kur thotë “atdheu”, nuk flet për kartolinat e institucioneve, por për njerëzit, bizneset, për atë fije respekti që duhet të lidhë shërbyesin me mikun që vjen nga larg.
Dhe për t’ia bërë më të qartë publikut, Luca nuk përdor fjalë të lëmuara. Ai thotë hapur: këta nuk janë gopsha, por grabitës. Jo ata të maleve me maska e armë, por të plazheve me menunë si armë të ngjeshur në brez. Të tillët nuk shërbejnë peshk të freskët, por një faturë të nxehtë sa t’i digjet dora klientit.
Në videon e tij të fundit, ai godet sërish: “Vapë është, por nuk ndalem! Dua t’i çoj në vendin e vet abuzimet e gjithëfarëllojshme…”. Ai nuk i kursen, sepse e di që çdo çmim i fryrë është një tullë që hiqet nga themeli i turizmit të qëndrueshëm. Është një goditje që ia jep së ardhmes së këtij vendi, duke e shitur për një grusht euro më shumë sot.
Dhe këtu është ironia më e hidhur: Shqipëria ka gjithçka që duhet për të qenë një destinacion elitar, por ka disa që e shndërrojnë në destinacion alarmi – ku turisti largohet me kujtimin e faturës, jo të plazhit. Ata nuk janë thjesht biznesmenë të këqij; janë sabotatorë të ekonomisë, grabitës të turizmit, dhe mbi të gjitha – tradhtarë të mundësisë më të madhe që ka ky vend për t’u ngritur.
KOHA JONË SONDAZH

