Turizmi patriotik, ambasadori i Kosovës në Lezhë

Bregdeti shqiptar mbetet zgjidhje e parë për kosovarët në sezonet turistike. Ndaj ambasadori i Kosovës në vendin tonë ishte në Lezhë, për të diskutuar për bashkëpunimin dhe masat e marra për sezonin në kohën e pandemisë.

Shëngjini mbetet një prej destinacioneve kryesore të shqiptarëve të Kosovës për pushime.

Hapja e kufijve është reflektuar menjeherë me shtimin e numrit të pushuesve!

Ndaj ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani zhvilloi një takim në Bashkinë e Lezhës ku në fokus ishte bashkëpunimi për sezonin në kushtet e pandemisë.

Nait Hasani: ”Ne jemi të interesuar që të paktën këtu të kemi ardhje, të jetë më e organizuar, pritja po ashtu, kujdesi nëpër plazhe, nëpër rrugë sepse sa më shumë të ofrojmë aq më shumë të lidhur do jemi.”

Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu duke vlerësuar hapjen e kufijve, theksoi masat e marra për zbatimin e protokollit të përcaktuar për turizmin

Pjerin Ndreu: ”Po ndërhyjmë në Shëngjin në disa rregullime të cilat janë esenciale përsa i përket turizmit, dhe atyre masave që kanë të bëjnë me një protokoll që lidhet me pandeminë. Po bëjmë një skemë të re të menaxhimit të mbetjeve, kemi ndërhyrë në disa vende për të përmirësuar infrastrukturën.”

Për shkak të situatës dhe kufizimeve për shkak pandemisë globale të covid 19, autoritetet dhe operatorët turistikë në Shqipëri e Kosovë këtë verë po nxisin të ashtuquajturin turizëm patriotik.

SHKARKO APP