Turizmi rriti pagesat me kartë bankare, BSH: Në janar-prill, mbi 5.6 milionë pagesa

Fluksi i lartë i turistëve të huaj në vendin tonë dhe preferenca e tyre për të përdorur kartat bankare për blerjet apo pagesat, ka nxitur shumë biznese të instalojnë POS-e (pagesa përmes kartave bankare).

Shifrat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se vetëm gjatë muajit prill 2024, janë kryer 1.5 milionë pagesa me kartë bankare, ose rreth 200 mijë më shumë se në janar 2024.

Ndërsa nëse bëjmë një vlerësim të pagesave për periudhën janar-prill, në total janë kryer mbi 5.6 milionë të tilla.

Vizitorët e huaj që vijnë në vendin tonë, e kanë praktikë më të zhvilluar pagesën me anë të kartave bankare dhe jo përdorimin e parave fizike. Pagesat elektronike janë një fenomen me impakt pozitiv në ekonomi, pasi ndikon në uljen e informalitetit. Në vlerë transaksionet e kryera në katër muajt e parë të këtij viti për blerjen e shërbimeve apo të produkteve të ndryshme janë 23.5 miliardë lekë.

BSH bën të ditur se, pagesat me kartë bankare regjistruan vlerat më të larta historike në numër dhe në vlerë transaksionesh edhe gjatë vitit 2023, të cilat në terminalet POS arritën pothuajse në 14.5 milionë, me një rritje prej 35% krahasuar me vitin 2022.

/r.e/ ATSH

SHKARKO APP