Turizmi shton edhe aksidentet rrugore, kulmon qershori
Shtimi i lëvizjeve si pasojë e turizmit ka rritur ndjeshëm fenomenin në Shqipëri. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në 6 muajt e parë të vitit u regjistruan 767 aksidente, me mbizotërim në muajin qershor. ”Janë rrugët dhe siguria e tyre, aftësia e drejtuesve të mjeteve dhe përgjegjshmëria e strukturave që monitorojnë trafiku. Këto 3 elemente nuk respektohen siç duhet që çojnë në rastin e një aksidenti”, thotë për A2 CNN Mamir Hodo, ekspert i sigurisë rrugore.
Është sjellja e drejtuesit të mjetit kryesisht të meshkujve, që ka ndikuar në rritjen e rasteve të aksidenteve por dhe shtimit të plagosjeve dhe vdekjeve. 659 aksidentet kanë ndodhur si pasojë e shoferëve që kanë cuar në 935 plagosje dhe vdekje në total.
Në muajin me më shumë aksidente ishte grupmosha deri në 24 vjeç shkaktarja kryesore, në gjysmën e parë të vitit grupmosha e të rinjve 25-34 vjeç që “përgjakën” rrugët e Shqipërisë. Moszbatimi i sistemit bonus malus i cili dënon shoferët përsëritës sipas ekspertëve ka ndikuar në këtë shtim të aksidenteve.
Më shumë aksidente kanë ndodhur ditën e premte në oraret e paradites ku dhe lëvizjet e qytetarëve për të pushuar fundjavave janë edhe më të larta. Tirana mbizotëron në numrin e aksidenteve pasuar nga Durrësi e Lezha.