Turizmi viti zero, 1 mld euro të humbura
Masat ekstreme që mori Shqipëria në muajin mars, përveç frikës dhe ankthit kolektiv u pasuan me goditje të forta në të ardhurat e shumë qytetarëve dhe bizneseve. Panorama përtej dritares së dhomës, mbeti e zymtë dhe çdo ditë që kalonte përjetohej me frikën se virusi Covid-19 do të pushtonte çdo rrugë, lagje e qytet. Dhe kështu po ndodhte. Rastet ditore që raportoheshin megjithëse në numra të kontrollueshëm filluan të zbehnin edhe dëshirat për të udhëtuar apo për të planifikuar pushime për muajt e verës që ishin pranë. Koronavirusi sot vijon të jetë armiku dhe kryefjala e një viti që do të mbahet mend gjatë, jo vetëm për pushimet e munguara, por edhe për rënien e sipërmarrjeve turistike, të cilat u lakmuan në vitin 2019 për performancën që arritën.
“Fjalët më të këqija mund të thuhen këtë vit, sepse pandemia erdhi atëherë kur turizmi kishte filluar të lulëzonte, erdhi atëherë kur shumëkush po merrte frytet e punës shumëvjeçare, dhe kam parasysh promovimet, panairet, takimet, prezantimet etj. 2019-a ishte treguesi më i mirë që i gjithë investimi kishte filluar të jepte frute për 300 mijë familje”, u shpreh kryetari i Shoqatës së Operatorëve, Rexhep Kasmi.
Nga perceptimi tek realiteti e më pas tek shifrat, thuajse të gjitha hallkat që lidhen me turizmin, agjencitë e udhëtimit, tur-operatorët, transporti, hotelet e restorantet, humbën jo pak, por 55 për qind të asaj që kishin marrë në vitin 2019. Në vlerë absolute janë 904 milionë euro të hyra më pak në ekonomi në këtë periudhë, që dalin në bilancin e pagesave të Bankës së Shqipërisë. Kriza është raportuar edhe tek drejtuesit e shoqatave turistike, ku vetëm 41 për qind e bizneseve deklaruan se mund të mbijetojnë, ndërsa 60 për qind thanë se realizuan vetëm 10 për qind të xhiros së vitit 2019.
”U intervistuan 43 biznese tur-operatorësh nga 200. Mbi 60% kishin bërë 0-10 për qind të xhiros 2019. Mbi gjysma kanë larguar punonjësit në shtëpi dhe pjesa më e madhe kanë humbje, kosto deri në 100 mijë euro. Është sektor që bazohet tek burimet njerëzore dhe do e vuajmë shumë sepse punonjësit janë larguar. Dëmi që ne parashikojmë në fund të vitit, mund të shkojë 1.8 miliardë euro, nga 2.3 miliardë euro, që turizmi i sjell ekonomisë së vendit. Pra, mbi 70-80 për qind e të ardhurave mungojnë, humbjet janë edhe financiare dhe njerëzore”,-u shpreh Gërxhani.
Në vitin 2019 nga 11 milionë hyrje të shtetasve të huaj, 5.8 milionë prej tyre erdhën për arsyet turistike, ndërsa ky vit regjistroi 60 për qind më pak hyrje, shifra këto që tregojnë se zinxhiri i sipërmarrjeve turistike u detyrua të merrte vendime të sforcuara për të mos mbyllur përfundimisht aktivitetin. Në qershor madje, kur masat ishin lehtësuar, e prej marsit nuk ishte prerë gati asnjë biletë, agjencitë turistike, në një protestë simbolike, kërkuan ndihmë për të shpëtuar nga falimenti.
Agjensitë turistikë, kërkuan heqjen e taksave lokale, pagë minimale 6 muaj deri në 1 vit dhe subvencionim të siguracioneve për 6 deri në 12 muaj dhe rihapjen e kufijve, ndërsa kjo e fundit ishte e vetmja kërkesë që u plotësua nga qeveria. Hapja e kufijve me kushte dhe rregulla të rrepta distancimi, të cilat në vetvete krijonin më tepër stres se sa relaks, duket se nuk u materializua me larmi pushuesish. E vetmja portë ku filluan të hynin masivisht, ishte ajo që na ndan me Kosovën. Ajo valë turistësh, u konsiderua në fund të verës edhe si shpëtimi i ekonomisë turistike, madje duke i veshur edhe nota patriotike entuziazmi sivllezërve tanë në Kosovë. Por për Gërxhanin, mesazhet e përcjella ishin politike e me nota euforie.
Paketat e ndihmës ndryshonin në secilin shtet, edhe pse shifrat e të prekurve me Covid dhe masat kufizuese praktikisht ishin të ngjashme. Për të amortizuar humbjet që u gjeneruan nga mbyllja, qeveritë aplikuan ndihma të ndryshme e të shtrira në kohë, por ato vetëm sa i dhanë një dorë operatorëve turistikë. Shqipëria krahasohet me Kroacinë për nivelin e dëmit të shkaktuar. Në Malin e Zi, një shtet i varur tërësisht nga turizmi, të ardhurat ranë në nivele dramatike. Përtej një viti që e gjithë bota dëshiron ta hedhë pas, aprovimi i vaksinës anti-Covid jep shpresë se normaliteti do të kthehet shpejt. Megjithatë, përtej çdo skenari, historia tregon se cikli i pandemive mbyllet shpejt, ndërkohë që sot shkenca dhe mjekësia i kanë gati armët e tyre. /Euronews Albania/