U arrestua dje në Kavajë, Edmond Kariqi filmohet duke marrë para nga vëllai i një të akuzuari

Një ditë pas arrestimit të drejtuesit të Prokurorisë së Kukësit, Edmond Karriqi, të tjera detaje kanë dalë në dritë. Sipas News24, Kariqi ka qenë në përgjim dhe është filmuar duke marrë paratë në tavolinë nga vëllai i një personi që kishte nën hetim për mbajtje droge.

Shuma e parave të marra dyshohet të kenë qenë 2 mijë euro. Prokurorët e SPAK kanë dyshime se ka marrë dhe para të tjera nga ky person.

Dyshimet e para janë se prokurori është përfshirë në korrupsion dhe bashkë me të është arrestuar dhe shoferi i tij. Ndaj prokurorit është urdhëruar edhe kontroll banese.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka zhvilluar hetime në kuadër të procedimit penal nr.49/1 viti 2021 që bën fjalë për veprat penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, të kryer në bashkëpunim, si dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, të parashikuara nga nenet 319 e 25 dhe 319/ç të Kodit Penal.

Nga veprimet hetimore të kryera për këtë procedim penal në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, janë siguruar dhe janë mbledhur prova konkrete, nga të cilat janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasi Edmond Kariqi, në cilësinë e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Kukës.

Në kuadër të hetimeve paraprake të këtij procedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin me nr.46, datë 30.06.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur:

– Caktimi ndaj shtetasit Edmond Kariqi të masës së sigurimit personal shtrënguese “arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” të parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.

– Caktimi ndaj shtetasve Isuf Gega, D.D. dhe E.B. të masës së sigurimit personal shtrënguese “arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penal, si të dyshuar se kanë kryer veprën penal “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 319 dhe 25 të Kodit Penal.

Shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar në datën 30.06.2021 masën e sigurimit personal të vendosur ndaj shtetasve Edmond Kariqi dhe Isuf Gega. Hetimet paraprake për këtë procedim penal janë në vazhdim e sipër dhe ende nuk kanë përfunduar”, njofton Prokuroria.

SHKARKO APP