U dënua për një barakë: Shpërthen ish-kryebashkiaku i PS
Dita e djeshme shënoi disa zhvillime interesante.
Teksa një kryebashkiak i PS lirohej nga gjykata, e cila e vendosi në arrest shtëpie, një ish-kryebashkiak socialist dënohej me burg.
Elvis Rroshi, kryebashkiak i Kavajës, akuzohet se ka manipuluar formularin e dekriminalizimit, kurse Gilberto Jaçe, ish-kryebashkiak i Përmetit, dënohej me një vit burg.
Gjykata e Përmetit dënoi me 1 vit burg ish-kryetarin e Bashkisë, Gilberto Jaçe.
Ai akuzohet për shpërdorim detyre në kohën kur drejtonte bashkinë.
Në pretendimet e prokurorisë thuhet se Jaçe ka dhënë një leje ndërtimi për një barakë druri që do përdorej për rafting një muaj para zgjedhjeve të një viti më parë.
Edhe pse ngjan si ngjarje “periferike” dhe pa shumë shkelje ligjore në dukje, prokuroria arriti të bindë gjykatën që të jepte një vit burgim për ish-kryebashkiakun socialist.
Denoncimi është bërë në Prokurorinë e Rrethit Përmet nga pronari i tokës në Bënjë, ku do vendosej objekti i parashikuar për rafting nga një kompani private që operon në këtë zonë.
Pritet që ky vendim të ankimohet në Gjykatën e Apelit dhe më pas do të shihet për verdiktin që ajo do të japë.
Aktualisht, Jaçe po hetohet në gjendje të lirë, por vendimi i djeshëm i dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë ka qenë mjaft i rëndë për ish-kryetarin e Bashkisë, Gilberto Jaçe.
“Po të isha kryebashkiak, nuk do të isha prekur”, tha Jaçe.
“Por ky sistem prek më të dobëtit. Unë nuk iu binda sistemit, ndaj u dënova”.
KOHA JONË SONDAZH

