U ”dogj” nga dekriminalizimi, Kajmaku merr pagat për 4 vite nga Bashkia. Përfiton 30 mijë euro nga KQZ

Disa vite pasi u shkarkua nga KQZ, si i prekur nga ligji i dekriminalizimit, ish-kreu socialist i bashkisë Vorë, Agim Kajmaku ka fituar në betejë financiare me institucionet. Më 4 prill 2025, Gjykata Administrative e Tiranës ka vendosur që të quajë të padrejtë vendimin e KQZ-së dhe të dëmshpërblejë Kajmakun. Bashkia e Vorës dhe Këshilli i Qarkut Tiranë detyrohen të paguajnë Kajmakun me të gjitha pagat e një mandati të plotë, 4-vjeçar, edhe pse ai ushtroi vetëm 3 muaj.

KQZ-ja po ashtu detyrohet të paguajë Kajmakun, gruan dhe djalin e tij për dëmin moral që ju ka shkaktuar. Përafërsisht 15 mijë euro për ish-kryetarin dhe nga 7 mijë euro për gruan dhe të birin e tij. Si KQZ, ashtu edhe bashkia Vorë kanë nxituar menjëherë ta ankimojnë këtë vendim në Apel.

Në vendimin e Gjykatës Administrative të Tiranës, thuhet se Kajamku është zgjedhur përmes një procesi të rregullt ligjor dhe se ai është dëmtuar drejtpërdrejtë nga vendimi i KQZ për ta shkarkuar nga detyra, vendim i cili i ndërpreu mandatin përpara përfundimit kushtetues dhe ligjor të tij.

Ky vendim sipas Gjykatës Administrative të Tiranës, ka prodhuar pasoja të drejtpërdrejta juridike e faktike, duke prekur statusin e tij kushtetues dhe të drejtat e lidhura me ushtrimin e funksionit publik, si dhe duke cenuar të drejtën për përfaqësim të një komuniteti të caktuar që rrjedh nga vota popullore.

SHKARKO APP