U ekzekutua në atentat mafioz, detaje nga e shkuara e Behar Sofias
66-vjeçari Behar Sofia, viktimë e atentatit të ndodhur mëngjesin e sotëm në Tiranë rezulton të jetë një emër i njohur për policinë si një person i përfshirë në aktivitete kriminale të drogës. 66-vjeçari ishte i dyshuar për trafik heroine me Turqinë, ndërkohë që ishte duke u verifikuar për pastrim parash.
Sipas Abc news, Sofia u arrestua së bashku me Abdulselam Turgut disa vite më parë për trafikun e dhjetëra kilogramëve drogë nga Turqia në Shqipëri.
Ndërkohë, 66-vjeçari është pronar i disa bizneseve pranë stadiumit Dinamo, si bar/kafe dhe aktivitete të tjera, të cilave në disa raste iu janë vendosur tritol.
Ndër të tjera abc neës shkruan se 66 vjeçari në gusht të vitit 2009 ka qenë një ndër emrat e përfshirë në ngjarjen e Durrësit ku u vranë 4 policë gjatë operacionit për të arrestuar Dritan Dajtin.
66-vjeçari Behar Sofia u gjet i shtrirë në trotuar fillimisht i plagosur. Ai u dërgua me urgjencë në spital, por nuk mundi t’u mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë.
Sipas informacioneve paraprake, mendohet që viktima të jetë qëlluar me armë me silenciator nga një makinë në lëvizje, teksa 66-vjeçari ka qenë duke ecur në këmbë. Kjo për shkak se në zonë nuk janë dëgjuar të shtëna armësh.
Atentati konsiderohet i tipit mafioz për shkak të rrethanave dhe dinamikës, për shkak se ka ndodhur në një zonë mjaft të populluar të kryeqytetit.