‘U kry’/ Suksesi i misionit të Adi Krastës
Nga Sonila Meço-
Festivali i Këngës në RTK kurorëzoi mbrëmë në finale edicionin e tij të dytë.
‘Flas me gjethen’ i Endrit Krasniqit u shpall fitues i një feste madhështore muzike në Prishtinë, një ngjarje historike, që konsolidohet mbi trashëgiminë e vyer kulturore e artistike të shkuarës, por edhe prej bashkimit kulturor mes artistëve, muzikantëve e gazetarëve shqiptarë këndej e andej kufiri.
Për herë të dytë, në krye të kësaj sipërmarrjeje të jashtëzakonshme në Kosovë qe Adi Krasta kombëtar.
Ai themeloi institucionalisht Festivalin e Këngës në RTK, duke krijuar mrekullisht një produkt të matshëm, që i vlen Eurovizionit, ende pa përfunduar çështjet politike ndërkombëtare, që mbajnë pezull përfshirjen e Kosovës në festivalin evropian të këngës.
Dhe mjaftuan vetëm dy edicione, të nisura me idenë thuajse ‘të marrë’ për transformimin e sallës së djegur të Pallatit të Rinisë në një platformë gjigante e moderne nga ku shteti i ri i Kosovës dëshmoi se mund të prodhojë shfaqje të dimensioneve të mëdha kombëtare e ndërkombëtare, duke dhënë fillimisht produktin përpara hyrjes së Kosovës në Eurosong.
Adi Krasta prej shumë vitesh e ka ndarë hapësirën profesionale mes Prishtinës dhe Tiranës, duke krijuar gjithëherët një momentum të favorshëm për median mbarë shqiptare. Për dy vite, Krasta punoi ngushtë me një staf të jashtëzakonshëm të RTK-së, që do të jenë garancia e suksesit të Festivaleve që do të pasojnë, por edhe i projekteve të mëdha artistike.
Ndaj Krasta e konsideron një mision të kryer drejtimin e dy edicioneve të Festivalit të Këngës dhe se vendimi i tij është që ngjarja të vazhdojë pa të në edicionin e tretë. Por platforma e ngritur i ka dhënë mundësira të pafundme bashkëpunimeve mes Kosovës e Shqipërisë, një shans të artë RTK-së të krijojë projekte të reja të bukura. Dhe kjo është një erë e re që po fryn në favor të velave të lira.