U shkarkuan nga Vetingu, Gjykata e Strasburgut u jep të drejtë dy ish-prokurorëve dhe një ish-gjyqtari
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka dhënë sot 3 vendime në çështjet e ish-prokurorit Gentian Osmani, ish-gjyqtarit Izet Kadana dhe ish-prokurorit Ferdinand Elezi, ku i jep të drejtë këtyre të fundit lidhur me shkarkimin e tyre nga procesi i vetingut.
Avokati Eduard Halimi e cilësoi të sotmen si një ditë historike për sistemin e drejtësisë shqiptare.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Halimi bëri të ditur se Seksioni i Tretë i GJEDNJ-së ka shpallur vendimet në çështjet e ish-prokurorit Osmani, ish-gjyqtarit Kadana dhe ish-prokurorit Elezi.
Sipas Halimit, Gjykata e Strasburgut konstatoi shkelje të nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke vlerësuar se masat e shkarkimit nga detyra të tre magjistratëve nuk ishin proporcionale me qëllimin e procesit të rivlerësimit kalimtar.
“Strasburgu konstaton shkelje flagrante të nenit 8 të Konventës për shkarkimet në vetting, pasi ato nuk ishin proporcionale. Gjykata kërkon rishikim të procedurave dhe rikthim në sistem”, u shpreh Halimi.
Ai uroi tre magjistratët për vendimet e marra, duke theksuar se karriera e tyre ishte ndërprerë padrejtësisht dhe se tashmë pritet që institucionet shqiptare të reflektojnë mbi gjetjet e gjykatës evropiane.
Halimi deklaroi se tashmë pritet reagimi i institucioneve shqiptare, duke veçuar rolin e Gjykatës Kushtetuese në zbatimin e standardeve të përcaktuara nga Strasburgu.
KOHA JONË SONDAZH
A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?
Results
Vota totale: 19132

