U shtir si invalid, ja truku që përdori vrasësi,duke çaluar ekzekutoi Behar Sofinë

Ernejt Shyti, personi që ekzekutoi Behar Sofinë me dy plumba pistolete “TT”, është shtirur si një person invalid.

Ai ka përdorur një truk, për të mos ngritur dyshime për lëvizjet e tij, dhe këtë gjë e ka kryer më së miri, si para dhe pas vrasjes së Sofisë.

Shyti, është zbuluar vetëm pasi ka marrë biçikletën poshtë urrës së Lanës, ku me shpejtësi dhe aspak duke çaluar, ka dalë në rrugë me hapa të rregullt, e të shpejtë, duke u larguar më pas me biçikletë. Kamerat e sigurisë që kanë filmuar Shytin para dhe pas vrasjes së Sofisë, tregojnë se ai ecën duke çaluar, duke të dhënë përshtypjen se ishte një person në nevojë dhe askush fillimisht nuk ka dyshuar për të.

Me një gjatësi trupore prej 1 metër e 75 cm, Shyti fillimisht është pikasur nga një kamera e ETC-së, ku në trup kishte të veshur një bluzë të bardhë dhe mbi të një xhup të zi me kapuç.

Pamjet filmike që “Ora News” ka mundur ti shikojë, tregojnë se Ernejt Shyti, i vihet nga pas viktimës Sofisë, sapo ky i fundit kalon me shpejtësi vizat e bardha dhe merr drejtimin në trotuarin buzë lumit të Lanës.

Filmimet tregojnë Ernejt Shytin, duke e ndjekur nga pas Sofinë, ku Shyti shfaqet tërësisht i mbuluar, pasi në kokë mbante dhe kapuçin e xhupit të zi. Ndërsa duart i mbante në xhepa.

Ecja e tij i ngjason një invalidi, pasi Shyti si para dhe pas vrasjes shfaqet duke çaluar, truk të cilin e ka përdorur për të mos krijuar dyshime.

Kamerat e ambasadës ruse dhe ato të presidencës kanë shërbyer për krijimin e një imazhi më të mirë të autorit.

Ndërsa gjetja e rrobave si xhupin dhe maskën kirurgjikale por dhe një aparat telefon, në zonën e Fakultetit Ekonomik në Tiranë, kanë çuar drejt zbardhjes së plotë të identitetit të autorit të krimit, i cili u tradhtuar nga analiza e ADN-së.

Shyti u arrestua teksa shtronte pllaka në aeroportin e Malit të Zi, ku më pas është deportuar menjëherë. Sipas dëshmisë që ai ka dhënë në polici, ofertën e parë për të kryer vrasjen e Sofisë, e kishte marrë nga shoku i tij, Xhuljano Visha.

Ky i fundit më pas e ka prezantuar me një person që e thërrisnin me nofkën “Daja”, që më vonë rezultoi të ishte Fushë-Krujësi, Skënder Vathi. “…me “Dajën”, jam  takuar dy-tre herë dhe takimet i kryenim në makinën e tij.

Ai më ka thënë nëse kisha kapur ndonjëherë armë apo jo dhe sa eksperiencë kisha për të kryer vrasjen. Në takimet që kemi kryer, “Daja”, më ka premtuar që pas përfundimit të porosisë, do shpërblehesha financiarisht…”-ka treguar në polici Shyti.

Mes Shytit dhe “Dajës” është realizuar në polici një paraqitje për njohje, ku 23-vjeçari që kreu vrasjen, konfirmoi para grupit të hetimit, se Skënder Vathi ishte pikërisht “Daja” që ai kishte takuar.

Pikërisht në telefonin e sekuestruar është gjendur një mesazh, i dërguar nga vëzhguesi Leonard Xhixho, i cili i ka shkruar Shytit “…Doli nga shtëpia…”.

Ky mesazh është dërguar thuajse 4 minuta para se Behar Sofia të ekzekutohej dhe përputhet edhe me zonën nga është dërguar. Në vëzhgim të Sofisë për gati një muaj, kanë qenë dhe miku i Shytit, Xhuljano Visha dhe vetë koordinatori, Skënder Vathi, i cili një ditë para vrasjes, ka pirë kafe në të njëjtin lokal ku qëndronte dhe Behar Sofia. /Ora News

SHKARKO APP