“Ujë me listë”, banorët e fshatit Povelçë në Fier vuajnë mungesën e ujit të pijshëm: Asnjë zgjidhje nga bashkia
Uji që shkon në rubinetët e banorëve të fshatit Povelçë në Fier, është i ndotur dhe nuk mund të përdoret për konsum apo për qëllime higjienike.
“Uji që vjen këtu është i pakonsumueshëm, është i ndotur, nuk shërben as për t’u pirë, as për të gatuar,” thotë një banor.
Banorët atje ankohen për kushtet e vështira ekonomike, ndërsa shumë prej tyre thonë se fshatarët marrin borxhe jo vetëm për ushqimet por edhe për ujin e pijshëm.
“Janë në siklet të madh nuk e përballojnë dot, madje është turp ta thuash, por edhe uji blihet me listë,” thotë ai.
“Uji që na vjen këtu na vjen në rregull, por nuk pihet. Uji i pijshëm, ushqimet, po të pyesësh në dyqan i ka shkuar lista gjithë ato lek,” thotë një banor tjetër.
Ujin e blejnë gati përditë, ndërsa thonë se janë ankuar në bashkinë e drejtuar nga Armando Subashi por nuk kanë marrë asnjëherë zgjidhje.
“Janë thënë, janë stërthënë edhe asnjë reagim, asnjë interesim për ta zgjidhur problemin,” thotë banori.
Dikur ky fshat ka pasur rreth 1500 banorë të ardhur nga vende të ndryshme por sot aty kanë mbetur vetëm të moshuar, ndërsa të tjerët po largohen dita ditës. /Ora News